
Nën drejtimin e Kryetarit të Komunës, sot është zhvilluar mbledhja e radhës e Qeverisë Komunale, ku janë shqyrtuar njëmbëdhjetë pika të rëndësishme për mbarëvajtjen e punëve dhe jetën e qytetarëve. Takimi nisi me raportimin e inxhinierëve mbi ecurinë e punimeve në investimet kapitale dhe vazhdoi me diskutimet për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal.
Me afrimin e sezonit të ftohtë, një vëmendje e veçantë iu kushtua përgatitjeve për dimër. U diskutua për furnizimin e institucioneve me lëndë djegëse për ngrohje, sigurimin e pajisjeve të nevojshme dhe planin për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve nga bora.
Gjatë këtij takimi u morën në shqyrtim edhe tema të tjera me interes të drejtpërdrejtë për banorët, siç është ndarja e bursave për studentët, menaxhimi i buxhetit për projekte të reja, rritja e disiplinës në punë brenda administratës dhe mbrojtja e të dhënave personale. Po ashtu, u ndanë informacione rreth vizitës së fundit të delegacionit komunal në Komunën e Kocaelit.
Zyrtarët komunalë u zotuan se do të vazhdojnë angazhimin maksimal, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha drejtoritë, për të krijuar një administratë sa më efikase dhe për t’u ofruar qytetarëve shërbime cilësore.
©TVOPOJA