
Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Dragash, Filiz Mustafa, ka njoftuar aderimin e Dr. Xhymret Baxhakut në këtë subjekt politik. Përmes një postimi, Mustafa e ka vlerësuar lart figurën e mjekut nga Bellobradi, duke e cilësuar atë si një njeri që i ka shërbyer atdheut me vepra dhe jo me fjalë të mëdha.
Dr. Xhymret Baxhaku ka një karrierë të gjatë dhe të dëshmuar në shërbim të komunitetit. Gjatë periudhës së luftës, kur mijëra shqiptarë u kthyen në refugjatë, ai shërbeu në kampet e Kukësit dhe Lezhës në bashkëpunim me CARITAS-in italian, si dhe u angazhua si mjek pranë qendrës stërvitore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kontributi i tij njerëzor dhe profesional u dëshmua sërish gjatë pandemisë COVID-19, ku ai ishte në vijën e parë të frontit në repartet e infektologjisë në Prizren dhe Prishtinë. Ndërkohë, ai vazhdon të japë kontributin e tij të përditshëm për qytetarët e Opojës duke shërbyer në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në Bresanë.
Në mesazhin e tij të mirëseardhjes, kryetari Mustafa theksoi se ardhja e Dr. Baxhakut i sjell Lëvizjes Vetëvendosje dijen e një profesionisti, humanizmin e një mjeku dhe përvojën e një njeriu që në kohët më të vështira diti të jetë gjithmonë në anën e qytetarëve.
©TVOPOJA