Kryetari i Nismës social Demokrate në Dragash nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në facebook ka parashtruar një pyetje rreth gjendjes aktuale politike në vendin tonë.

Sipas Fatmir Halili kushtetuta e Republikës së Kosovës është më shumë se e qartë dhe nuk përbën ndonjë dilemë se kush do të ndërtojë institucionet pas zgjedhjeve.

Kryetari i Nismës social Demokrate thotë se thirrja për vullnetin Popullor është dhënë tek 120 deputetë të kuvendit, dhe jo vetëm tek një parti politike, cilado çoftë ajo shkruan Halili e raporton televizioni Opoja.

Postimi i plotë nga Kryetari i Nismës social Demokrate në Dragash:

Kushtetuta është më shumë se e qartë, nuk ka asnjë dilemë se kush duhet të ndërtoj institucionet pas zgjedhjeve. Kushtetuta është shumë demokratike dhe ofron mjaftë zgjidhje.
Por, për çfarë arsye po ndodhin bllokada në ndërtimin e instotucioneve?
Edhe kjo pyetje e ka përgjigjen e vet, madje mjaft të qartë.
Duhet të kemi parasysh se, për jetësimin e një demokracie dhe rregullave demokratike të përcaktuara në Kushtetutë dhe ligje, duhet të ekzistoj edhe mendësia politike për këtë.
Bllokadat në krijimin e institucioneve janë rezultat eksplicit i mendësisë politike të partive politike, dhe aspak i mungesës së zgjidhjeve kushtetuese.

Kjo nënkupton që, partitë politike nuk kanë arrit të kuptojnë sa duhet pluralizmin politikë, dhe sistemin juridik-kushtetues dhe demokratik të ndërtuar në vendin tonë.
Është e qartë që, mendësia politike e krijuar ndër vite, domosdo duhet të ndryshoj. Për ndryshimin e kësaj mendësie politike, është i domosdoshëm reformimi i partive politike. Eh, kjo do të marr kohë ndoshta edhe dy dekada të tjera, dhe kërkon një trajtim mjaftë të gjerë!

Dilema pas rënies së qeverisë Kurti është, qeveri të re, apo zgjedhje të reja?!
Thirrja në vullnetin popullor është i pasinqertë. Vullneti popullor është i shprehur tek 120 deputetët e kuvendit, dhe jo vetëm tek një parti politike, cilado çoftë ajo.
Sipas kushtetutës tonë, qeverisja ndërtohet nga 51 %, apo së paku nga 61 deputetë të Kuvendit. Rregullat kushtetuese, primatin i kanë dhënë partisë së parë, por nuk ja kanë rezervuar vetëm partisë së parë.
Sikur të rezervohej vetëm për partinë e parë, atëherë nuk do të kishte kuptim rregulli i ndërtimit të institucioneve nga 61 e më shumë deputetë.

Rregullat kushtetuese kërkojnë shumicën prej minimum 61 deputetëve, e për krijimin e kësaj shumice primatin e ka partia e parë, por jo domosdo.
Ky rregull, është i shkëlqyeshëm, sepse kontribuon në edukimin e partive politike, për të mos baltos gjithçka vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet. Për të mos përdorë gjuhën e vrazhdë dhe metodat jo politike për të arritur deri te pushtetit.
Kujtojm që, vrazhdësia politike, dhe në veçanti thyerja e marrëveshjeve politike, Partinë Demokratike në vitin 2014, e ka lënë pa partnerë për të qeverisur.

Gjuha e ashpër dhe sjelljet jo politike, si dhe sjelljet jo të mira ndaj partnerit në qeverisje, tash e kanë sjellë në pozit të njëjtë Lëvizjen Vetëvendosje.
Pajtohem plotësisht që, partia e parë të ngelet lojtari kryesor në ndërtimin e institucioneve, sepse do të humbej kuptimi i fituesit të zgjedhjeve. Por, nëse i pari shpreh arrogancë dhe sjellje jo politike, nënqmim ndaj partnerëve të mundshëm qeverisës, dhe për pasojë nuk gjenë partnerë për qeverisje, duhet të hapet rrugë edhe për partitë e tjera.
Kjo, gjen arsyeshmëri në faktin se, sistemi ynë zgjedhor gati 100 % ka pamundësuar që një parti e vetme të marr mbi 50% të votave. Në këtë mënyrë, pamundësia për të gjetur partnerë për qeverisje do të krijonte një cikël zgjedhor që nuk do t’i dihej fundi.
Prandaj, kjo e arsyeton bërjen e një qeverie të re, dhe jo shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme.