Qendra e LV në Dragash, përmes një komunikate në rrjetin social në Facebook, e ka quajtur skandal dhe cenim integriteti të të miturve një organizim të RDK në njërën nga Shkollat në Dragash, ku thuhet i kanë sensibilizuar për çështje shëndetësore.

Për më shumë, komunikata e plotë:

Reagim lidhur me skandalin e bërë nga PDK në Sharr (konkretisht RDK)

Rinia Demokratike e Kosovës, së pari duke cenuar privatësinë dhe integritetin personal të nxënësve të mitur dhe së dyti duke keqshfrytëzuar pushtetin që ka në komunën tonë, na ka reflektuar dhe vërtetuar atë që themi vazhdimisht, se politizimi i skajshëm e ka degraduar sistemin arsimor në Sharr.

Në komunikatën e tyre thuhet se kanë organizuar një ligjeratë lidhur me sensibilizimin e nxënësve se si të jetojnë shëndetshëm. Paramendojeni, një parti politike, për qëllime gjithsesi politike, shfrytëzon infrastrukturën arsimore të cilën vetë e ka degraduar, për kampanjë fushate përbrenda institucioneve shkollore.

Si njohës të dobët të ligjeve dhe shkelës konstant të tyre që janë, ua rikujtojmë pikën 3 të nenit 4 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, në të cilin thuhet:
“Ndalohen aktivitetet promovuese jashtë Kornizës së Kurrikulumit të Kosovës në përfitim ose në dëm të çfarëdo partie politike, gjinie, përkatësie racore a etnike, feje ose pozite sociale nëpër institucionet arsimore dhe aftësuese. Kur çështjet relevante paraqiten para nxënësve gjatë procesit mësimor, nxënësve duhet t’u ofrohet prezantim i balancuar i pikëpamjeve të kundërta”.

Ju bëjmë thirrje që skandale të tilla të mos ndodhin më. Njëkohësisht i ftojmë që si Rini Demokratike, ta lexojnë njoftimin e Qeverisë e komunikatat e lëshuara ditët e fundit në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë që së pari vetë të vetëdijesohen për Virusin “Corona” dhe mbrojtjen nga ky virus.

Qendra e LV Sharr,
12 mars, 2020