
Një publikim në rrjetet sociale i SHFMU “Sezai Surroi” në Bellobrad, ku punimet e fundit u paraqitën si realizim i ndryshimeve pas më shumë se dy dekadash pritjeje, ka nxitur reagime kritike nga PDK – Dega në Dragash dhe asambleisti, Granit Rifaj.
Në postimin publik, shkolla në Bellobrad kishte shkruar: “Për më shumë se dy dekada pritje, shumëçka mbeti vetëm premtim. Ndryshimet po bëhen realitet. Sepse kur ka vullnet, përkushtim dhe punë, rezultatet shihen!”.
Postim ky që nxiti reagimin e PDK-së në Dragash, e cila po akuzon pushtetin lokal për keqmenaxhim të buxhetit dhe mungesë të materialeve elementare në shkolla, duke ngritur dyshime për parregullsi në fatura dhe prokurim. Ky subjekt politik pretendon se Drejtoria e Arsimit nuk menaxhohet realisht nga drejtori i pensionuar me kontratë të vazhduar, por nga një udhëheqës i lartë i Komunës dhe një zyrtar i drejtorisë, ndërsa drejtori shfrytëzohet vetëm për nënshkrime formale. Po ashtu, PDK-ja kritikoi faktin se shtatë shkolla vazhdojnë të udhëhiqen me ushtrues detyre dhe ngriti dyshime për favorizime familjare në konkurset e punësimit, duke kërkuar verifikim të shpenzimeve dhe transparencë të plotë.
Ndërkaq, asambleisti Granit Rifaj theksoi se zëvendësimi me vonesë i kaldajës së dëmtuar, pasi nxënësit u përballën me mungesë ngrohjeje dhe vendosja e shtresës së gomës në fushën ekzistuese sportive përbëjnë detyrime të zakonshme institucionale e jo suksese historike, duke kërkuar sqarime publike për kostot dhe mungesën e planifikimit me kohë.
©TVOPOJA