Kundërshtohet edhe deponia e mbetjeve inerte në Gorë: Përplasje e hapur ndërmjet përfaqësuesve politikë të komunitetit goran

Aktualitet2 hours ago37 shikime

Projekti për ndërtimin e deponisë së mbetjeve inerte në lokacionin e Gorës po has në kundërshtime, ashtu siç ndodhi më herët edhe në pjesën e Opojës, më saktësisht në fshatin Rrenc. Planifikimi i kësaj deponie ndërmjet fshatrave Vranishtë dhe Orçushë ka nxitur reagime të shumta dhe polemika të hapura ndërmjet përfaqësuesve politikë të komunitetit goran në Dragash.

Reagimi i parë publik erdhi nga ish-asamblisti i Kuvendit Komunal të Dragashit, Nexhmidin Sejdilar. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai kundërshtoi vendosjen e deponisë në këtë zonë, duke kritikuar qeverisjen lokale, si dhe subjektet politike JGP dhe SDU për mungesë angazhimi në mbrojtje të interesave të banorëve të Gorës.

Sejdilar duke rikujtuar se lokacioni i planifikuar më parë në Rrenc u tërhoq pas kundërshtimeve të banorëve atje, dhe kërkoi publikimin e dokumentacionit të plotë të projektit, vlerësimet për ndikimin në mjedis dhe shëndet, organizimin e një debati publik, si dhe pezullimin e punimeve.

Për këtë çështje u prononcua edhe Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Dragashit nga radhët e Partisë Unike Gorane (JGP), Danis Hoxha. Ai deklaroi se nuk është konsultuar dhe as nuk ka qenë i përfshirë në bisedimet apo procesin e vendimmarrjes për këtë projekt.

Hoxha kërkoi që para marrjes së çfarëdo vendimi përfundimtar të verifikohen të gjitha faktet, të shqyrtohen ndikimet mjedisore dhe të mbahet një debat publik me banorët. “Gora është shtëpia jonë dhe për të ardhmen e saj nuk duhet të vendoset pa qytetarët e saj”, theksoi ai.

Pas deklaratës së Hoxhës, Socijaldemokratska Unija (SDU), doli me një komunikatë duke e cilësuar reagimin e JGP-së si “politikisht tendencioz dhe të njëanshëm”. SDU sqaroi se vendimi për caktimin e dy lokacioneve për mbetje ndërtimore: një në Opojë dhe një në Gorë, është marrë bashkërisht në Bordin e Drejtorëve, ku kanë votuar edhe drejtorët e vetë JGP-së.

Sipas SDU-së, objekti dedikohet për mbetje ndërtimore e jo për mbeturina shtëpiake, ndërsa shtoi se për lokacionin në Opojë, pas vërejtjeve të banorëve të Rrencit dhe kritereve të ministrisë, po kërkohet një zgjidhje alternative ligjore dhe ekologjike. Duke kujtuar se mbeturinat komunale të gjithë komunës, përfshirë Gorën, hidhen prej vitesh në deponinë ekzistuese në Opojë pa u përdorur si akuzë për diskriminim, SDU vuri në pikëpyetje konsistencën politike të JGP-së, e cila mban pozita kyçe ekzekutive, përfshirë nënkryetarin për komunitete, kryesimin e Komitetit për Komunitete dhe dy drejtori komunale, ndër to edhe atë të Shërbimeve Publike.

Ndaj komunikatës së SDU-së reagoi sërish Danis Hoxha, duke sqaruar se ky projekt konkret i financuar përmes Grantit të Performancës nuk është shqyrtuar dhe as miratuar ndonjëherë me votim në Kuvendin Komunal të Dragashit. Për këtë arsye, ai e cilësoi të papërgjegjshme përpjekjen e SDU-së për ta bartur përgjegjësinë te këshilltarët e JGP-së.

Hoxha theksoi se pjesëmarrja në pushtet është obligim e jo privilegj dhe nuk nënkupton heshtje ndaj interesave të qytetarëve, ndërsa shtoi se përmendja e deponisë ekzistuese në Opojë nuk i përgjigjet pyetjes nëse lokacioni ndërmjet Orçushës dhe Vranishtës i plotëson kushtet ligjore. Me këtë rast, ai përsëriti katër kërkesa konkrete:

  • Prezantimin e dokumentacionit të plotë të projektit;
  • Publikimin e vlerësimeve profesionale, teknike, mjedisore dhe lejeve përkatëse;
  • Ndërprerjen e menjëhershme të punimeve të filluara;
  • Organizimin e një debati të hapur publik.

Ndërsa polemikat ndërmjet përfaqësuesve politikë vijojnë lidhur me përgjegjësinë institucionale dhe procedurat e ndjekura për lokacionin ndërmjet Vranishtës dhe Orçushës, të gjitha palët e përfshira në këtë debat kanë deklaruar se mbrojtja e mjedisit, transparenca dhe interesi i qytetarëve të Gorës duhet të qëndrojnë mbi interesat e ngushta partiake dhe koalicionale.

©TVOPOJA

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...