
Komuna e Dragashit ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me deklaratat dhe akuzat e fundit për ndërtimin e deponisë së mbetjeve inerte ndërmjet fshatrave Vranisht dhe Orçushë, duke e cilësuar të papranueshme që një çështje me rëndësi për mbrojtjen e mjedisit dhe interesin e përgjithshëm publik të shndërrohet në objekt të propagandës politike, nxitjes së ndasive etnike apo përfitimeve individuale e partiake.
Në reagim sqarohet se nuk bëhet fjalë për deponi të mbeturinave organike apo të përziera komunale, por për një deponi të kontrolluar të mbetjeve inerte — si mbetjet nga gërmimet, rrënimet, ndërtimet, renovimet dhe materiale të ngjashme — të cilat krijohen nga vetë aktivitetet e përditshme të qytetarëve në fshatrat e Gorës. Sipas Komunës, ky projekt, i paraparë përmes Grantit të Performancës me dy lokacione të planifikuara (një për Gorën dhe një për Opojën), synon parandalimin e ndotjes dhe eliminimin gradual të dhjetëra deponive ilegale nëpër natyrë, rrugë e lumenj, duke i sistemuar këto mbetje në një lokacion të përcaktuar, ligjor dhe të kontrolluar.
Institucioni komunal thekson se të gjitha partitë politike që përbëjnë koalicionin kanë qenë të njoftuara në Bordin e Drejtorëve, ku edhe është marrë vendimi për 12 projektet e Grantit të Performancës. Njëkohësisht, Komuna ngriti pyetjen se pse zëri nuk është ngritur me të njëjtin intensitet edhe për deponinë e mbeturinave organike në Opojë, ku tash e rreth 23 vjet përfundojnë mbeturinat e përditshme komunale të të gjitha fshatrave të Gorës, dhe pse nuk ka pasur reagime të ngjashme nga politikanët shqiptarë të Opojës. Me këtë rast, Komuna garantoi se institucionet komunale do të angazhohen që edhe në pjesën e Opojës të ndërtohet një deponi e përshtatshme për menaxhimin e mbeturinave, në përputhje me standardet mjedisore.
Lidhur me akuzat ndaj subjekteve politike LDK, JGP dhe SDU, Komuna vlerëson se përgjegjësia politike duhet të mbështetet në fakte, dokumente dhe argumente konkrete, duke ritheksuar se të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur dhe ata të komuniteteve që jetojnë në Dragash kanë legjitimitet demokratik, mandat institucional dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve. Po ashtu, në çështjen e buxhetit, theksohet rëndësia e dallimit ndërmjet projektbuxhetit dhe buxhetit përfundimtar të miratuar, duke vlerësuar përmbajtjen e dokumentit, ndryshimet eventuale dhe procedurat ligjore të miratimit.
Në përmbyllje, Komuna e Dragashit shprehet e hapur për dialog me të gjithë qytetarët dhe u bën thirrje banorëve të rajonit të Gorës që çdo shqetësim lidhur me këtë projekt ta trajtojnë mbi bazën e fakteve, dokumentacionit dhe informatave zyrtare. Duke nënvizuar se Gora dhe Opoja nuk janë kundërshtare dhe se shqiptarët, goranët dhe boshnjakët janë pjesë e barabartë e komunës, institucioni rikonfirmon angazhimin për zhvillimin e barabartë të të gjithë territorit të Dragashit, ku interesi i qytetarëve, mbrojtja e mjedisit dhe bashkëjetesa duhet të jenë mbi çdo interes partiak apo personal.
©TVOPOJA