Arsimi është shtylla kurrizore e një kombi. Prandaj jo rastësisht, gjatë periudhave të ndryshme të historisë, populli ynë është tentuar të goditet mu në palcën kurrizore, mu në arsimin shqip: qoftë duke ia ndaluar arsimimin në gjuhën amtare, qoftë duke ia imponuar planet hibride arsimore me qëllim të zhveshjes së shqiptarëve nga identiteti kombëtar.

Prandaj që nga Sami Frashëri i periudhës së Rilindjes Kombëtare e deri në ditët tona, arsimit shqip dhe për arsimin shqip kanë dhënë kontribut e sakrifica të shumta, shumë shqiptarë.

Të punosh në arsim, është jo vetëm nderë, por edhe përgjegjësi.

Është nderë, sepse tu ka krijuar mundësia, që gjeneratave të reja, tua hapësh horizontet e dijes.

Kurse është përgjegjësi, për faktin se duhet dhënë vazhdimisht maksimumin, që nxënësit të kenë rrugën ndriçuar, dhe trazuar drejtë dijes.

Edhe në trevën e Opojës të komunës së Dragashit, në periudha të ndryshme, shumë individ kanë dhënë kontribut të çmuar në lëmin e arsimit.

Madje kontribute të veçanta, kanë dhënë edhe njerëz jashtë trevës së Opojës: si nga Prizreni, Peja, Deçani etj., e që të gjithë këta, meritojnë respekt shtesë, për faktin se nuk kanë qenë nga kjo trevë.

Pa dashur këtu të përmendim emra veteranësh nga Opoja, ku të gjithë meritojnë respekt për punën e dhënë, rrugës së tyre, shkoi edhe intelektuali i njohur i Opojës, për të cilin jemi mbledhur sot këtu, dhe ky është Bejtullah Rakipi – profesor i historisë.

Të nderuar kolegë!

I nderuar staf drejtues i shkollës “28 Nëntori”…

Jam me ndjenja të përziera në këto momente.

Sa do që kam privilegjin t’i them disa fjalë rreth personalitetit të mësuesit shëmbullor Bejtullah Rakipi, po kaq kam edhe ndjenjën e mërzisë, përkatësisht të dhëmbjes, që nga rradhët e këtij kolektivi shkollor, si dhe nga nxënësit e kësaj shkolle, për shkak të moshës, profesori Bejtullah Rakipi po del në pension.

Shikuar nga ana psikologjike dhe fizike, profesori Bejtullah Rakipi, do të ishte në gjendje të vazhdonte për të dhënë mësim, edhe për shumë vite.

Por ja që ligjet thonë kështu, dhe mjerisht nuk kanë parapa ndonjë aneks përjashtues.

Bejtullah Rakipi është i lindur më 10.11. 1957 në Bresanë. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, pra në Bresanë, kurse të mesmen e përfundoi në Gjimnazin “Emin Duraku” në Dragash. Për të vazhduar pastaj me studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, në drejtimin histori – gjeografi.

Me 1 shtator të vitit 1981, Bejtullah Rakipi fillon punën si mësues në shkollën fillore të Bresanës. Pra ishte ky viti 1981, pikërisht viti që solli ngjarjet e njohura të demonstratave në Prishtinë dhe në tërë Kosovën.

Profesori i ri, tashmë i brumosur me dije, por edhe i vetëdishëm në cilin vit po fillon me punë në arsim, iu përkushtua punës me zellë të veçantë.

Pikërisht Bejtullah Rakipi ishte qysh atëherë përkrahës i demonstratave të vitit 1981.

Më vonë, krahas ushtrimit të detyrës si mësimdhënës në këtë shkollë, Bejtullah Rakipi, nuk ndejti duarkryq, por u angazhua në të gjitha lëvizjet që i nxorri koha.

Kështu ai ishte kundërshtar i madh i ndryshimeve kushtetuese të vitit 1988, duke marrë pjesë aktive në shumë debate, kundër këtyre ndryshimeve që synonin heqjen edhe të asaj autonomie, të cilën e posedonte Kosova, që nga viti 1974.

Pastaj Bejtullah Rakipi ishte aktivist aktiv në të gjitha aktivitetet e kohës gjatë viteve 1988 – 1999.

Bejtullah Rakipi ishte njëri ndër themeluesit e Ligës së Futbollit në Opojë, qëllimi i së cilës ishte mbajtja e popullsisë, e veçmas e rinisë në kondicion aktiv fizik, për të qenë të përgatitur për ngjarjet që do të pasonin më vonë. Përderisa në ish Jugosllavi kishin ndodhur tri luftra (me luftën episodike në Slloveni, me luftën e përgjakshme në Kroaci, dhe me kasaphanën në Bosne, ishte e qartë për secilin se as Kosova nuk do të shpëtonte pa luftë).

Bejtullah Rakipi ishte njëri nga themeluesit e Klubit Futbollistik Opoja, që zhvillonte gara në nivele të ndryshme të Republikës së Kosovës.

Për shkak të aktivitetit patriotik, ku morri pjesë në demonstrate e vitit 1990, Bejtullah Rakipi u burgos.

Dhe jo vetëm kaq!

Bejtullah Rakipi, ishte pjesmarrës aktiv, në të gjitha aktivitetet kulturore, sportive, edukativo – arsimore, jo vetëm në shkollën e Bresanës por edhe në komunë.

Pas luftës së Kosovës e deri më 10 nëntor 2022, Bejtullah Rakipi i qëndroi besnik profesionit, përkatësisht misionit të shenjtë të arsimtarit.

Gjatë kësaj periudhe , Bejtullah Rakipi ishte ideator i 100 vjetorit të ngjarjes së manifestimit përkujtimor të masakrave serbe te “Livadhi i Kasës”, për të cilën gjë, e ka bërë edhe një shkrim autorial, i cili përpos që është botuar në revistën kulturore, artistike e shkencore, SHARRI, ky punim i është botuar edhe në librin “Opoja – Aspekti Historik”.

Dhe, sërish jo vetëm kaq!

Bejtullah Rakipi, si rrallë kush në Kosovë, është i apasionuar pas artit të fotografisë, ku në këtë drejtim ka arritur të organizoj dy ekspozita me fotografi të punuara nga vet ai (njëra në shkollën e Bresanës me rastin e 28 Nëntorit, pra ditës së shkollës, dhe tjetra me rastin e 100 vjetorit të masakrave serbe në “Livadhin e Kasës”). Gjithashtu disa punime të tij janë botuar edhe në revistën SHARRI, madje edhe ballinën e kësaj reviste.

Sigurisht se në këtë rast, nuk janë thënë të gjitha, nga fushveprimtaria poliedrike e profesorit Bejtullah Rakipi. Por ne jemi të lumtur që ishim bashkëkolegë të tij, në këtë rrugëtim, të ushtrimit të detyrave, në funksion të arsimimit të gjeneratave të reja.

Jemi të lumtur, edhe për faktin se Bejtullah Rakipin, përsëri e kemi mes nesh, në fshatin tonë, dhe i cili jam i sigurtë, se do të vazhdoj për të dhënë kontributin e tij, në të gjitha lëmitë ku ti jepet mundësia.

Sigurisht se Bejtullah Rakipi ishte mes nesh për një kohë kaq të gjatë, me të cilin përballuam sfida e stuhi të mëdha.

Bejtullah Rakipi, është mes nesh, dhe do të jetë mes nesh edhe më tej, sepse, ai është pjesë e jona, pjesë e sukseseve dhe angazhimeve tona të mëdha, që janë bërë në këtë shkollë, për zhvillimin e arsimit shqip.

I nderuar Bejtullah Rakipi!

Të falëminderit shumë, për gjithëçka që ke bërë, duke e lënë keq, shpesh here, veten dhe familjen, për të mirën e përgjithshme.

Edhe një herë, të falëminderit Bejtullah Rakipi!

Të urojmë shëndet të plotë, dhe fat, në të gjitha pikësynimet e jetës suaj.