Zyrtarë të lartë të LDK-së thonë se e përkrahin kreun e LDK-së, Isa Mustafa, që ai të jetë kandidati për kryeministër, dhe se krejt çka po pret LDK-ja është vullneti i Mustafës për ta kandiduar veten, apo dikë tjetër, nëse e merr mandatin për formimin e Qeverisë.

LDK-ja po pret veprimet e mëtutjeshme të presidentit, ndërsa është e gatshme në çdo kohë ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re. Presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar se këtë javë do të ndërmarrë hapa drejt mandatimit të një kandidati për kryeministër, pasi Vetëvendosja, si fituese e zgjedhjeve, nuk i është përgjigjur kërkesës së tij.

Megjithatë, LDK-ja akoma nuk e ka emrin e kandidatit dhe po pret momentin e fundit për të vendosur sepse zyrtarë të lartë të kësaj partie kanë deklaruar se deri tash as nuk është diskutuar emri i kandidatit.

Janë përmendur emra si Kujtim Shala, Avdullah Hoti, e së fundmi është folur rreth emrit të kreut të LDK-së, Isa Mustafa, edhe nga njerëzit kryesorë të kësaj partie.

Vetë Mustafa dje në konferencën për media, pas takimit me bashkëpunëtorët e tij në parti, nuk e ka mohuar mundësinë që ai të jetë kandidati, por ka thënë se për këtë diskutojnë ditëve në vijim.

“Sot s’po them asgjë. Unë kur ta hapi këtë çështje, mendoj që së pari do ta bisedoj përfundimisht me njerëzit e mi brenda subjektit. Por, ajo që unë dëshiroj është që ta kemi një kandidat, i cili do t’i përballojë të gjitha sfidat që tani paraqiten para LDK-së. Po të kisha vullnet timin, do ta kandidoja veten edhe atëherë kur u kandidua z. Hoti në 2017, edhe në vitin e kaluar kur e kemi dhënë znj. Osmani, por kam pa arsye që të bëhen disa ndryshime dhe freskime në LDK dhe atë arsye e kam edhe kësaj radhe”, ka thënë Mustafa.

Pjesa tjetër e partisë thotë se është në dorë të Mustafës se a dëshiron që sërish ta kandidojë dikë tjetër si në rastin e Avdullah Hotit në zgjedhjet e 2017-s dhe të Vjosa Osmanit në zgjedhjet e 2019-s.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në paraqitjet e tij të fundit, ka thënë se partia dhe strukturat e saj e përkrahin kryetarin e saj për kandidaturën e kryeministrit.

“Krejt strukturat e LDK-së e mbështesin Isa Mustafën. Varet prej tij, a dëshiron me përsëritë, sikur dy rastet e kaluara ku nuk e ka kandiduar veten, por dikë tjetër. Mos e harroni këtë gjë”, ka thënë sot Haziri.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala, derisa ka treguar të hënën në emisionin Pressing se ai nuk ka synime për të qenë kandidat për kryeministër, ka thënë se është krejtësisht legjitime në LDK që Mustafa të jetë kandidat për kryeministër. Edhe pse Mustafa nuk ka dalë në zgjedhjet qëndrore, Shala thotë, se ai e ka përkrahjen e partisë, strukturave dhe të të zgjedhurve nga populli.

“LDK-ja ka demokraci deleguese. Ne i ruajmë procedurën demokratike thelbësore. Kryetari i LDK-së nuk i ka prirë listën sepse e kishim një kandidate tjetër. Zgjedhje politike janë këto”, ka thënë Shala.

Ndryshe, Mustafa sot ka thënë se po pret thirrje nga presidenti Thaçi dhe do t’i përgjigjet asaj.

“Akoma s’kemi ftesë, kur të thërrasin do t’i përgjigjemi. Dhe të shohim çfarë do të thotë presidenti”, ka thënë Mustafa. /Express/