“Krijuesi Demir Reshiti (Opojë) dhe lidhjet e tij me Kukësin”, titullohet aktiviteti letraro-artistik që të enjten më 12 shtator 2019 do ta organizojë Qendra Kulturore e Bashkisë Kukës në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut Kukës.

Organizatorët e bëjnë këtë aktivitet në shenjë respekti e mirënjohje për shkrimtarin dhe publicistin nga Opoja e komunës së Sharrit, Demir Reshitin, i cili ka lidhje të veçanta shpirtërore me qytetin e Kukësit me rrethinë. Qyteti i Kukësit zë vend të rëndësishëm në krijimtarinë letrare e publicistike të Demir Reshitit i cili për një kohë edhe ka punuar në Radio Kukës.

Për krijimtarinë letrare dhe lidhjen shpirtërore të Demirit me Kukësin, do të flasin shkrimtari i mirënjohur kuksian Petrit Palushi, pedagogia universitare Helena Halilaj, drejtori i radio Kukësit, Jonuz Hallaçi, kryetari i Këshillit të Qarkut, Abdullah Domi si dhe intelektualë e miq të shkrimtarit. Do të lexohen gjithashtu pjesë të zgjedhura nga krijimtaria letrare e Demir Reshitit.
Aktiviteti do të mbahet në “Këndin amerikan” të Pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina” në Kukës me fillim në orën 12.00.