Kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani ka nënshkruar sot një marrëveshje rreth promovimit të prodhimtarisë bujqësore në Deagash dhe atë me Caritasit Zviceran. Sipas kësaj marrëveshje nga janari i vitit 2020, Caritasi Zviceran do të zbatojë projektin “Prosperiteti i prodhimtarisë agrare në Kosovë nga investimet e qëndrueshme rurale PASURI” duke synuar përmirësimin e kushteve jetësore të fermerëve, rritjen e gjenerimit të hyrave dhe prodhimin bujqësor në Dragash.

Me këtë rast Kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani u shpreh se Komuna e Dragashit ka pasur një bashkëpunim të mirë me Caritasin Zvicran dhe ju gëzohet fakti se ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe në këtë vit. “Kemi pasur një bashkëpunim me Caritasin Zviceran, më të vërtetë po ndihem mirë që edhe në vitin 2020 po vazhdojmë këtë bashkëpunim”, u shpreh Kryetari Shabani duke potencuar se me këtë projekt do të përfitojnë qytetarët e komunës tonë. Ndërkaq lidhur me bashkëpunimin e mirë me komunën e Dragashit kanë folur edhe Veton Ruka dhe Nderim Pasuli nga Caritasi Zvicran. Ndërkaq në këtë takim ka marrë pjesë edhe Flamur Sylejmani, Udhëheqës i sektorit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.
Përndryshe sipas marrëveshjes të nënshkruar sot Caritasi Zviceran ka zhvilluar modelin e granteve të përbërë nga paketa me materialet e nevojshme për kultivimin e frutave manore, bimëve mjekësore dhe aromatike dhe prodhimin e mjaltit. Sipas marrëveshjes që është nënshkruar sot në implementimin e prioriteteve të dala nga ky projekt, do të investohen gjithsej 57000 € brenda vitit 2020.

Qëllimet kryesore të projektit:
1. Promovimi dhe prodhimi frutave manore, mjaltit, bimëve mjekësore dhe frutave aromatike (BMFA).
2. Certifikimi i fermerëve me standardet organike të prodhimit për kultivuesit e BMFA
3. Edukimi, trajnimi dhe ngritja e vetëdijes së fermerëve për prodhimtarinë bujqësore
4. Themelimi i zinxhirit të vlerave për kultivuesit.