Sot bëhen 20 vjet nga eksodi masiv i shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në vitet 1998-1999 rreth një milion shqiptarë të detyruar nga forcat paramilitare serbe u shpërngulën në Shqipëri dhe Maqedoni.

Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi), transmeton TV OPOJA.

16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapën dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.

Drejtoria Arsimore e Dragashit dhe Prizrenit në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore të Kukësit dhe Beratit, në 20 vjetorin e eksodit të shqiptarëve të Kosovës organizuan një event të përbashkët në stadiumin e qytetit të Kukësit me nxënësit e katër qyteteve. Talentët e katër komunave performuan në 15 disiplina.

Në këtë aktivitet i cili filloi në ora 9:30 me një marsh të nxënësve të Prizrenit dhe Dragashit nga “6 katëshi” në Kukës drejt stadiumit të qytetit, ku morën pjesë 350 nxënës të Prizrenit dhe Dragashit 40 nxënës të Beratit dhe dhjetëra të Kukësit.

Në këtë aktivitet performuan dhe luajtën 7 grupe vallesh, 5 skuadra futbolli, 4 basketbolli, 5 volejbolli dhe dhjetëra vrapues në disiplinat e atletikës. Kishte 3 grupe të kërcimit modern, këngë, recitime dhe dy grupe nxënësish vendosën në skenë dy drama, ekspozitë të punimeve të ndryshme inovative-shkencore./TVOPOJA