
Qendra Rinore “AVOKO” ka përmbyllur punëtorinë dyditore për hartimin e Strategjisë së Shtëpisë së të Drejtave të Njeriut në Dragash. Ky aktivitet mblodhi një grup të gjerë akterësh, përfshirë përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave të ndryshme, shkollave, të rinjve dhe mediave lokale.
Si një zë aktiv i komunitetit, pjesë e tryezës për hartimin e kësaj strategjie ishim edhe ne si medium. Së bashku me pjesëmarrësit e tjerë, kontribuam me ide, përvoja dhe rekomandime konkrete për të orientuar punën dhe shërbimet e ardhshme të Shtëpisë së të Drejtave të Njeriut.
Përmes diskutimeve të hapura, u përcaktuan vlerat dhe prioritetet që do ta udhëheqin këtë nismë, ku veçohen: qasja dhe shërbimet për të gjithë, pavarësia dhe paanshmëria, promovimi i diversitetit, llogaridhënia, transparenca, konfidencialiteti dhe përfaqësimi i barabartë. Po ashtu, një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe përfshirjes së fëmijëve si përfitues të drejtpërdrejtë të aktiviteteve dhe shërbimeve.
Kontributet e mbledhura gjatë këtyre dy ditëve do të shërbejnë si bazë për hartimin e një strategjie të mirëfilltë, e cila pasqyron nevojat reale të komunitetit dhe nxit angazhimin e përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Komunën e Dragashit. Në mbyllje të këtij aktiviteti, “AVOKO” falënderoi të gjithë të pranishmit për kontributin e dhënë, duke shprehur shpresën se ky projekt do të jetë tejet frytdhënës për Dragashin dhe më gjerë.
©TVOPOJA