KEDS-i ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë rritje të çmimit të energjisë prej 7 për qind nga 1 dhjetori, dita e djeshme. Kështu ka bërë të ditur për Sinjalin, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Përmes kërkesës për aplikim të jashtëzakonshëm të tarifave, KEDS-i po kërkon që rritja prej 7 për qind të jetë deri në fund të marsit.

“Kjo do të vlejë deri në shqyrtimin e rregullt tarifor, i cili bëhet në fillim të vitit të ardhshëm me tarifa që hyn në fuqi nga data 1 prill pasi vit energjetik që e themi ne fillon me 1 prill dhe përfundon me 31 mars të vitit vijues, aty ne do të aplikojmë për të hyrat tona të lejuara dhe për tarifat që i mbulojnë kostot pasi dihet që kemi të bëjmë me çmime astronomike të importit të cilat shkojnë në 300 euro megavat apo 5-6 fish më të larta se vitin e kaluar dhe këto çmime duhet të mbulohen”, ka thënë Buzhala.