Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli nga qyteti i Skenderajt ka shpalosur vizionin e ri të partisë, duke hedhur kritika drejtuar qeverisë tanishme dhe Lëvizjes Vetëvendosjes.

Veseli përmes një konference për media tha se në kohë pandemie, partitë që “mashtruan” qytetarët në zgjedhjet e fundit, i harruan qytetarët dhe ndërmarrësit dhe u morën me teket dhe interesat e tyre personale për pushtet.

“Disa parti po mundohen me fjalë, urrejtje, mospunë dhe mashtrime të pushtojnë mendjet e qytetarëve. E kanë bërë ideal, kauzë për të fituar për vete, luftën brenda shqiptareve, mu në kohën e një ballafaqimi jo të lehtë në përmbylljen e pa kompromis të shtetësisë sonë me Serbinë dhe anëtarësimin ne OKB: Kjo nuk është duke u bërë pa qëllim, kjo nuk e ndihmon Kosovën përballë Serbisë, kjo e rrezikon Kosovën!”, tha Veseli me rastin e ditës së çlirimit të Skenderajt.

“Nuk ka kompromis me mashtrues, nuk ka besim në ata që nuk mbajnë asnjë fjalë dhe i ndryshojnë në bazë të interesit dhe zorit. Kjo është arsyeja që qeveritë e mashtrimit po bien njëra pas tjetrës dhe as që do të mund të qëndrojnë. Qytetari ynë është shumë i mençur dhe i dallon këto kurthe! Duhet punë, vizion, guxim, vendosmëri dhe përgjegjësi për të çuar përpara amanetin e tribunëve të kombit tonë”, tha ai.

Ai u shpreh optimist se shpejt në Kosovë, do të ketë një Qeveri e cila do të udhëhiqet nga PDK, “për të ruajtur vlerat e lirisë, amanetin e heronjve, jetën e vlefshme dhe respektin për njeri-tjetrin, Skenderajn dhe Kosovën e zhvilluar, fuqinë e koalicionit të pandarë me SHBA-të dhe integrimin në NATO dhe BE”.

Lideri opozitar tha se rimëkëmbja ekonomike, është vizioni i tyre më i qartë dhe përkushtimi kryesor.