Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, njofton Klan Kosova.

Sipas tij, vendimi ekipi negociator i Kosovës është jo kushtetues dhe si i tillë nuk ka bazë që të negociojë me Serbinë.

Mustafa thotë se Qeveria dhe Kuvendi duhet të dorëhiqen pas këtij vendimi, ashtu siç kanë bërë më herët dy Presidentët kur është konstatuar se kanë bërë shkelje të Kushtetutës.

Më poshtë mund ta lexoni statusin e tij të plotë:

Të nderuar qytetarë

Gjykata Kushtetuese foli. Shpalli jokushtetues në tërësinë e tij Ligjin për dialogun. Shpalli jokushtetues Ekipin e Dialogut.

Ekipi, pa e pritur hyrjen në fuqi të Ligjit, i cili u kontestua nga LDK dhe VV, ushtroi veprime jokushtetuese në procesin e dialogut me para të Buxhetit. Kryeministri, në mënyrë jokushtetuese, i kishte deleguar përgjegjësitë e tij për dialogun.

Qeveria shkeli Kushtetutën duke e aprovuar Projektligjin me përmbajtje jokushtetuese të sponzorizuar nga PSD. Kuvendi shkeli Kushtetutën duke e miratuar një Ligj jokushtetues, të propozuar nga Qeveria.

Janë këto shkelje të Kushtetutës në proporcione gjeometrike nga koalicioni PAN.

Dy presidentë tanë kanë dhënë dorëheqje kur është konstatuar shkelje e Kushtetutës. Tani radhën e ka kjo Qeveri dhe ky Kuvend. Duhet të pajtohemi se nuk lejohet që Kosovën ta drejtojnë shkelësit e Kushtetutës.