Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur për situatën me koronavirus në vend.

Ai ka thënë se ulja e numrit të të infektuarve nuk do të ishte e mundur pa kontributin e secilit prej nesh.

“Pas më shumë se 100 ditësh qeverisje, e përshëndes suksesin e vendit tonë, qytetarëve tanë, dhe veçanërisht mjekëve dhe infermierëve të cilët përballen çdo ditë me virusin #COVID19. I falënderoj partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen. Kjo tabelë dhe këto shifra nuk do të dukeshin kështu pa kontributin e secilit prej nesh”, ka shkruar Hoti.

Ai ka thënë se Qeveria që e drejton ka shumëfishuar numrin e testimeve, si dhe numri i të infektuarve dhe viktimave është ulur drastikisht, shkruan Reporteri.

Kryeministri ka kërkuar edhe më tutje vigjilencë dhe respektim të masave ngase siç ka thënë ai, kërcënimi nga Covid-19 ende nuk ka kaluar.

“Sot, e kemi shumëfishuar numrin e testimeve, e kemi ulur drastikisht numrin e të infektuarve dhe të viktimave. Ne duhet të vazhdojmë të jemi vigjilent dhe t’i respektojmë me përpikmëri masat për mbrojtje. Kërcënimi nga COVID-19 nuk ka kaluar”, ka shkruar Hoti. /Reporteri.net