Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas arrestimit të zyrtarit policor nën dyshimin se ka kryer veprën penale – sulm seksual ndaj një të miture.

Haxhiu ka deklaruar se organet kompetente menjeherë duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm dhe nëse këto dyshime vërtetohen, persona të tillë jo vetëm të largohen nga uniforma, por të marrin edhe dënimin e merituar.

“Policia e Kosovës, përveç mbrojtëse e lirive dhe të drejtave të garantuara, janë edhe shembull i tyre. Zyrtari i Policisë është mbrojtës i të cenuarve dhe jo akter i krimit e dhunimit. Ai do të duhej të ishte referencë për sjelljet e secilit qytetar dhe jo vet i përfshirë në dhunime siç ka dyshime për dhunimin e një vajze të mitur nga zyrtari policor. Organet kompetente menjeherë duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm dhe nëse këto dyshime vërtetohen,  persona të tillë jo vetëm të largohen nga uniforma, por të marrin edhe dënimin e merituar”, ka shkruar ministrja në rrjetin social “Facebook”.

Sipas saj, abuzuesit e dhunuesit nuk kanë vend në shoqëri aq më pak në institucione.

“Republika e Kosovës duhet të jetë vend i respektimit të lirive dhe drejtave të njeriut ku krimi e dhunimi nuk do të gjejnë vend, ku këto fenomene negative jo vetëm të ndëshkohen por as edhe të stimulohen. Askush nën petkun e zyrtarit nuk guxon të ndihet autonom karshi ligjit. Abuzuesit e dhunuesit nuk kanë vend në shoqërinë tonë, aq më pak në institucione”, ka shkruar tutje Haxhiu.

Polici me inicialet R. Sh., është arrestuar gjatë ditës së djeshme nga Inspektorati Policor i Kosovës me vendim të Prokurorisë së Gjilanit.

Pas arrestimit dhe intervistimit, polici është dërguar në ndalim për 48 orë.