Deputeti Haxhi Avdyli ka dalë kundër liderit të partisë së tij, Isa Mustafa, raporton Gazeta Blic.

Mustafa para pak minutash përmes një postimi në Facebook kishte kundërshtuar statistikat e raportit të UNDP-së, ku qytetarët ishin shprehur të kënaqur me punën e Qeverisë. Por, Avdyli në shënimin e tij, ka theksuar se ai u beson statistikave e jo fjalëve.

“Kur numrat flasin, fjalët janë të tepërta. Unë iu #besoj numrave sepse ato bazohen në fakte e realitet. Fjalët të bazuara në perceptime paraqesin vetëm dëshira personale që dikur veniten”, ka shkruar Avdyli.

Mustafa ndër të tjera ka shprehur habinë e tij se si një qeveri që dy herë e shkeli Kushtetutën, të kënaq më shumë se gjysmën e qytetarëve.

Regimi i plotë i Mustafës:

Të nderuar miq

U mundova dje dhe sot të lexoj statistikat , sipas sugjerimeve të një ambasadori të një vendi shumë të respektuar, se ato flasin vet.

E pyeta veten, si mundet një qeveri ku për shkak të pandemisë kanë mbetur të punojnë edhe 5 ministra të LDK-së, e cila dy herë shkeli Kushtetutën, të ketë përkrahje të tillë. Një qeveri e cila shkarkon borde dhe e pranon publikisht se po i instalon partiakët e vet. Nuk më folën rezultatet.

Nuk besoj se duhet të shkelet Kushtetuta për ta fituar perceptimin nga qytetarët.

Nuk besoj, poashtu, që institucionet e bllokuara nga Covid-19, të cilat nuk mbajnë takime dhe aktualisht janë jofunksionale, marrin përkrahjen e mbi 3/4 të të anketuarëve me telefon nga UNDP për punën e mirë të tyre.
Këto mund të jenë simpati personale. Më së paku vlerësime!
Prandaj, po i lexoj por, që flasin nuk më flasin këto statistika! IM