Ministrja e Kulturës, Rinise dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka bërë përurimin e ndërtesave-shtëpive të banimit punimet e të cilave janë̈ zbatuar në kuadër të programit: Masa preventive-intervenime emergjente në Qendrën Historike të Prizrenit.

Dumoshi, gjatë vizitës së saj, ka thënë se është e lumtur për përfundimin e tyre, pasi që siç thotë ajo, çdo shtëpi ka një histori.

Dumoshi gjithashtu ka premtuar edhe për vazhdimin e punimeve në shtëpi të tjera.

“Është kënaqësi, dhe ndjenjë e veçantë sepse në çdo shtëpi ka një histori, ne tani u takuam me zonjën e shtëpisë të familjes Dugagjini, e cila është një familje e njohur, intelektuale, dhe e kanë ditur rëndësinë e shtëpisë dhe asnjëherë nuk e kanë lëshuar….Gjithashtu edhe familja Doda, pra ky është kompleksi me i rëndësishëm i jonë kombëtar, dhe kemi Lidhjen e Prizrenit, dhe këto familje të cilat kyçën në oborrin e Lidhjes së Prizrenit. Ne do të vazhdojmë me punimet, pra sot i kemi, prej tetë shtëpive të parapara, shtatë prej tyre kanë përfunduar”, ka thënë Dumoshi.

Ministrja Dumoshi gjithashtu ka thënë se janë duke punuar në rrugën “Marlin Barleti”, i cili është procedua si aktivitet i prokurimit të Ministrisë së Kulturës dhe do të punohet që ai projekt, i perimetrit i “Marlin Barleti”, të kryhet sa më shpejtë.

Dumoshi, vizitën e ka vazhduar për tek Kalaj e Prizrenit, nga ku ka kërkuar të jemi të përgjegjshëm sa i përket thesarit që ka Kosova.

Dumoshi ka thënë se Kalaja e Prizrenit, shumë shpejt do të ketë ciceron dhe njerëz që do ta mbikëqyrin këtë pjesë.

“Për mua si ministre, çdo hap që kam ecur sot në Kalanë e Prizrenit është një përgjegjësi por edhe duhet të jemi të përgjegjshëm ndaj thesarit tonë të cilin e kemi, dhe siç tha zotri Shafi, që këtu është punuar në 10 vitet e fundit dhe kjo punë është nënvizuar me një pamje fantastike, por mbi të gjitha, këtu janë rrënjët Ilire mbi 3500 vjeçare. Ne si ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tash jemi në përfundim ku do të nënshkruajmë dhe planet e menaxhimit, ku me plane të tilla do të fisnikërohet më shumë, pra do të jenë edhe në funksion me të madh Kalaja e Prizrenit, po gjithashtu edhe në pjesën e murit të gërmimeve të cilat duhet të vazhdohen dhe të bëhen. Sa i përket stafit, ne e dhamë lajmin se do të kenë edhe ciceron dhe njerëz të cilët duhet ta mbikëqyrin këtë pjesë”, ka thënë Dumoshi.

Ndërsa Shafi Gashi, nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, ka thënë se është bërë punë e madhe sa i përket Trashëgimisë Kulturore, si dhe shpreson që ky përkushtim të vazhdoj tutje.

Gashi thotë se krahas këtij përkushtimi, shpreson që edhe Instituti Arkeologjik ta rrisë nivelin e punës, që kulturën e Kalasë se Prizrenit ta prezantojë sa ma bukur.

“Shpresojmë që krahas këtij përkushtimi edhe Instituti Arkeologjik, edhe ne si staf, ta rrisim nivelin tonë dhe të arrijmë ta prezantojmë sa më mirë kulturën materiale të Kalasë së Prizrenit, dhe të regjionit. Por gjithsesi edhe të prezantimit sa me të bukur me kulturë materiale, dhe në rifreskime sa me të ndryshme që mund të ndodhin në Kala, sidomos në periudhën e verës sepse gjatë verës ne kemi një invazion të vizitorëve në nivel vendi dhe kjo tregon se turistët janë të interesuar që të thithin informacion sa me të plota mbi kulturën Iliro-Dardane, Bizantine dhe deri në luftërat Ballkanike që ky monument ka vazhdua jetën këtu”, ka thënë Gashi.

Ministrja Dumoshi është takuar edhe me filigranistët në Prizren, ku edhe u ka premtuar mbështetje në projektet e tyre.

Dumoshi ka thënë se do të formohet edhe muzeu i filigrantit, duke inkurajuar për vazhdimin e këtij zanati brez pas brezi.