Dragashi pret ambasadorin gjerman, theksohet roli i AVOKO-s në zhvillimin lokal

KronikaShoqata3 hours ago21 shikime

Sot, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Rainer Rudolph, qëndroi për vizitë në Komunën e Dragashit, ku u prit nga kryetari i komunës, z. Bexhet Xheladini. Gjatë këtij takimi, kryetari Xheladini e njoftoi ambasadorin me një historik të shkurtër të komunës, si dhe me punët, projektet dhe sfidat me të cilat përballet Dragashi. Me këtë rast, ai shprehu mirënjohje dhe respekt për bashkëpunimin e deritanishëm, duke vlerësuar mbështetjen ndërkombëtare për zhvillimin lokal.

Ndërsa nga ana tjetër, ambasadori Rudolph falënderoi kryetarin për pritjen, njëherit vlerësoi lart Komunën e Dragashit për harmoninë ndëretnike, si dhe për përfshirjen e grave në pozita të rëndësishme komunale. Ai theksoi gjithashtu marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke përmendur edhe numrin e madh të diasporës kosovare në Gjermani. Ndër të tjera, ambasadori vlerësoi lart edhe bukuritë natyrore të kësaj komune.

Pas vizitës në komunë, ambasadori Rudolph, së bashku me ekipin e GIZ Kosova, vizitoi edhe organizatën AVOKO në Dragash. Gjatë kësaj vizite, mysafirët patën mundësinë të njihen nga afër me aktivitetet dhe punën që AVOKO zhvillon në fushën e rrobaqepësisë dhe teknologjisë informative.

Fokusi i kësaj vizite ishte angazhimi i AVOKO-s në fuqizimin e të rinjve dhe grave përmes programeve praktike, të cilat synojnë zhvillimin e shkathtësive profesionale, rritjen e mundësive për punësim dhe avancimin e iniciativave lokale me ndikim të drejtpërdrejtë në komunitet.

Në këtë kuadër, u vlerësua lart edhe bashkëpunimi i deritanishëm, si dhe kontributi i AVOKO-s në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të perspektivës për qytetarët e Dragashit.

Kjo vizitë u konsiderua si një vlerësim i rëndësishëm për punën dhe përkushtimin e AVOKO-s, duke shërbyer njëkohësisht si inkurajim për vazhdimin e projekteve që sjellin zhvillim, përfshirje dhe mundësi të reja për komunitetin lokal.

©TVOPOJA

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...