
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Dragash ka njoftuar qytetarët se në këtë institucion ka filluar punën fizioterapeuti, i cili do të ofrojë shërbime fizioterapeutike për fëmijët e moshës 0–6 vjeç, në kuadër të programit për ndërhyrjen në fëmijërinë e hershme.
Ky shërbim po zbatohet në kuadër të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë nr. 01/2026 për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ (Shëndetësi) nr. 04/2020. Sipas njoftimit, me synim zgjerimin dhe funksionalizimin e plotë të programit për ndërhyrjen në fëmijërinë e hershme, në fazat e ardhshme planifikohet ofrimi edhe i Shërbimeve logopedike, Shërbimeve të psikologut klinik, Shërbimeve të punëtorit social.
Sipas QKMF-së, këto shërbime do të mundësojnë një qasje multidisiplinare dhe gjithëpërfshirëse në identifikimin, vlerësimin, trajtimin dhe mbështetjen e fëmijëve me vështirësi ose vonesa në zhvillim. Me këtë rast, ftohen të gjithë prindërit dhe kujdestarët, fëmijët e të cilëve kanë nevojë për shërbime fizioterapeutike, që të paraqiten në Njësinë e Pediatrisë në QKMF – Dragash, për vlerësim dhe orientim drejt shërbimit përkatës.
Në njoftim theksohet se përmes funksionalizimit të këtyre shërbimeve synohet avancimi i cilësisë dhe qasshmërisë së shërbimeve shëndetësore, duke i kushtuar rëndësi të veçantë shëndetit, zhvillimit dhe të ardhmes së fëmijëve në vitet e para të jetës.
©TVOPOJA