Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, të enjten, ju ka shqiptuar dënim me nga 150 euro gjobë të pandehurve Musa dhe Zijat Balje, të cilët akuzoheshin për veprat penale “lëndim i lehtë trupor” dhe “sulm”.

Aktgjykimin ndaj tyre, e ka shpallur gjyqtari i çështjes Bekri Vehapi, pasi që të pandehurit e kanë pranuar paraprakisht fajësinë, për veprat penale të cilat ju viheshin në barrë, raporton Betimi për Drejtësi.

Gjyqtari Vehapi i ka obliguar të akuzuarit Balje edhe me shpenzimet procedurale, në shumën totale prej 120 eurove.

Pasi që është njoftuar me të drejtat në procedurë  dhe rrethanat lehtësuese të pranimit të fajësisë, i pandehuri Musa Balje, ka pranuar fajin dhe ka deklaruar se i vjen keq për atë që ka ndodhur.

Edhe i akuzuari  tjetër Zijat Balje, ka thënë se ndihet fajtor  për veprën me të cilën ngarkohet me anë të kësaj aktakuze dhe ka kërkuar nga gjyqtari Vehapi, që gjatë shqiptimit të dënimit, të marrë parasysh rrethanat lehtësuese.

Prokurori Milot Krasniqi, ka bërë ri cilësimin e veprës penale të sulmit, nga neni 187 siç ishte e paraparë në Kodin e Vjetër Penal, në nenin 184 në Kodin i ri Penal, për shkak se me Kodin e Ri Penale, janë  rrethanat me të favorshme, për të pandehurin.

Përndryshe, në këtë rast të akuzuar kanë qenë edhe të pandehurit Nenar dhe Bega Balje, por ndaj tyre është veçuar paraprakisht procedura.

Gjyqtari Vehapi, palët e pa kënaqura i ka udhëzuar në të drejtën e ankesës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22 tetor 2018 nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Musa Balje, akuzohet se më 22 qershor 2018, rreth orës 16:00 në fshatin Restelic, me dashje i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të pandehurit Nenar Balje.

Ngjarja ka ndodhur, pas një mosmarrëveshje paraprake pronësore mes tyre. Sipas prokurorisë, i pandehuri Musa Balje fillimisht i’u kishte afruar të pandehurit Nenar Balje dhe me pas e kishte goditur me grusht në fytyrë, në anën e majtë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore – gërvishtje në faqen e majtë të fytyrës, të cilat dëmtime rezultojnë me dëmtim të përkohshëm të shëndetit.

Me këto veprime, ai dyshohet të ketë kryer vepren penale “lëndim i lehtë trupor” e paraparë në nenin 188 paragrafi 1, lidhur me nenin paragrafin 1.4 të Kodit Penal të Kosovës.

Edhe i pandehuri tjetër, Zijat Balje, me dashje kishte përdorur forcën, ndaj të pandehurës Bega Balje. Pas një mosmarrëveshje mes të babit të tij dhe të pandehurës Bega Balje, Zijati e kishte sulmuar të pandehurën, duke e goditur me dorë në shpatull.

Me këto veprime, ai ka kryer veprën penale të “sulmit” e paraparë në nenin 187, paragrafi 1 e Kodit Penal të Kosovës.