Në rrugën kryesore të lagjes Duraj në fshatin Bresanë, e cila është shumë e frekuentuar, prej disa kohesh gjendet një shtyllë elektrike e drurit e dëmtuar tejmase e cila paraqet rrezik permanent jo vetëm për banorët e lagjes por edhe për shtëpitë që gjenden në të dy anët e rrugës!

Vite më parë nga vetë banorët, asaj shtylle i është vendosur një gjysmështylle tjetër përforcuese por tash së fundi edhe ajo është dobësuar dhe shtylla kryesore bashkë me atë përforcuese janë shtrembëruar deri në atë masë sa vetëm telat e mbajnë që të mos shembet në tokë.

I shqetësuar nga ky rrezik, gazetari Demir Reshiti i cili është edhe banor i kësaj lagjeje, i është drejtuar Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë sh.a., Prishtinë (KEDS) me një kërkesë për zëvendësimin e kësaj shtylle me një të re.

“Si banorë të lagjes kemi kërkuar nga punëtorët e KEDS-it që kjo shtyllë të zëvendësohet me një të re dhe ata na kanë sugjeruar që t’ju drejtohemi me një kërkesë me shkrim! Bazuar në rrezikun që paraqet shembja eventuale e kësaj shtylle, po ju drejtohemi me kërkesën që e njëjta, sa më parë që të jetë e mundur, të zëvendësohet me një të re”, ka shkruar ndër të tjera Reshiti duke e shfaqur shpresën se kjo kërkesë do të merret parasysh dhe të realizohet nga kompetentet e KEDS-it.

Në shkresën drejtuar KEDS-it, Reshiti i ka bashkangjitur edhe disa fotografi të shtyllës së dëmtuar të cilat dëshmojnë qartë rrezikun që ajo paraqet për banorët e lagjes dhe jo vetëm.