Studentja në nivelin master në programin Dizajn i Integruar i Avancuar në UBT, Alma Salihi pas suksesit të arritur përgjatë studimeve në bachelor, ka arritur të bëhet pjesë e ekipit të filmit “Gulizar” të regjisores turke Belkis Bayrak, në rolin e asistent kostumografes.

Studentja Alma Salihi ka vlerësuar se përmes UBT-së ka arritur që të bëhet pjesë e një ekipi profesionistësh, duke kontribuar në rolin e asistentes së konstumografes në filmin “Gulizar”, si dhe ka theksuar se ka qenë një nga përvojat e saja të paharruara.

“Rruga për t’u bërë pjesë e ekipit të filmit “Gulizar” me regjisoren turke Belkis Bayrak, u nis nga UBT, ku bashkëpunimi dhe profesionalizmi i profesoreshës Ariana Gjoni, bëri që unë të përzgjidhesha për këtë film. Ka qenë një përvojë e paharruar, duke u angazhuar në rolin e asistent kostumografes, punë e cila ishte sfiduese dhe e lodhshme, por ishte një ndër gjërat më të bukura”, ka thënë Salihi.

Alma aktualisht punon në atelien e saj, si dizajnere e modës, ku ofron shërbime për zhvillimin e skicave dhe rrobaqepësi individuale të veshjeve të grave, burrave, fëmijëve, si dhe fustaneve për raste të veçanta, përmes punës me qëndisja me dorë, lyerja në pëlhurë, dekorimi me rruaza, me material leshi dhe lëkurë.