
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë komunalë dhe përfaqësues të OVL-UÇK-së, ka vizituar sot ekspozitën “Artefaktet e Kosovës të marra nga Serbia”. Kjo ngjarje u organizua nga organizata joqeveritare “Ec Ma Ndryshe” dhe u vendos në hapësirat e parkut pranë shtatores së komandantit Adem Jashari në Dragash.
Gjatë këtij aktiviteti njëditor me karakter ndërgjegjësues, para qytetarëve u prezantuan dhjetëra fotografi të artefakteve tona. Këto objekte janë një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të Kosovës, të cilat fatkeqësisht vazhdojnë të mbahen ende në Serbi.
Kryetari Xheladini ka përgëzuar organizatorët për këtë nismë, duke e vlerësuar lart si një aktivitet me rëndësi të madhe kulturore dhe edukative për të gjithë.
Në këtë vizitë, bashkë me kryetarin ishin edhe kryesuesi i Kuvendit, Resul Fetahu, shefja e Kabinetit, Arijeta Skeraj, drejtori i Administratës, Veton Halili, kryetari i OVL-UÇK-së, Emri Neshati, dhe zyrtari ligjor i komunës, Adem Emini.
©TVOPOJA