
Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Filiz Mustafa ka dhënë zyrtarisht betimin si deputet i Legjislaturës së XI. Gjatë këtij akti, ai u zotua për kryerjen e detyrës me përgjegjësi, duke respektuar Kushtetutën, sovranitetin e vendit dhe të drejtat e qytetarëve.
Në kuadër të ndarjes së përgjegjësive parlamentare, është bërë e ditur se deputeti Mustafa do të shërbejë në Komisionin për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport.
Fushëveprimi i këtij komisioni lidhet ngushtë me nevojat zhvillimore të Komunës së Dragashit. Hartimi i politikave në këtë trupë parlamentare përfshin vendime që prekin drejtpërdrejt bujqësinë, pylltarinë, mbrojtjen e mjedisit malor dhe infrastrukturën rurale sektorë këta me rëndësi parësore për rajonin e Sharrit.
Gjatë seancës së sotme plenare u miratua edhe Deklarata e Përbashkët për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përmes së cilës Kuvendi riafirmoi qëndrimin e tij institucional rreth luftës çlirimtare.
Në njoftimin e tij pas marrjes së mandatit, Mustafa ka theksuar angazhimin e tij për punët që e presin gjatë kësaj legjislature.
©TVOPOJA