
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka uruar sot komunitetin boshnjak me rastin e Ditës së tyre Kombëtare, duke theksuar rolin e tyre thelbësor në harmoninë dhe zhvillimin e komunës.
Nëpërmjet një mesazhi drejtuar qytetarëve, i pari i Dragashit përcolli urimet për shëndet, paqe dhe mirëqenie. Ai e vlerësoi lart historikun e këtij komuniteti, duke i cilësuar si një popull liridashës që çmon lirinë dhe drejtësinë. Xheladini vuri në dukje edhe lidhjet e forta historike, duke kujtuar se boshnjakët kanë mbështetur vazhdimisht përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, duke u pozicionuar në krah të së drejtës universale për barazi.
Duke folur për realitetin lokal, kryetari theksoi rëndësinë e harmonisë ndëretnike që karakterizon zonën. “Në Komunën e Dragashit, diversiteti ynë është vlerë dhe bashkëjetesa jonë është pasuri. Respekti, mirëkuptimi dhe solidariteti ndërmjet komuniteteve janë themeli mbi të cilin ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë,” u shpreh Xheladini në urimin e tij.
Ky urim rikonfirmon përkushtimin e institucioneve lokale për të kultivuar bashkëjetesën dhe tolerancën, të cilat mbeten shtyllat kryesore të zhvillimit të përbashkët në Komunën e Dragashit.
©TVOPOJA