Nën organizimin e kontingjentit turk të KFOR-it, sot në Dragash u mbajt një ceremoni përkujtimore në nderim të rreshterit Hüseyin Kutlu. Ai humbi jetën më 22 shtator të vitit 1999, gjatë një operacioni për pastrimin e fushave të minuara, teksa shërbente në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s.
Në këtë ceremoni nderimi morën pjesë përfaqësues të lartë institucionalë dhe ushtarakë, përfshirë Zëvendësministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ushtruesen e Detyrës së Ambasadës së Turqisë në Kosovë. Të pranishëm ishin edhe Kryetari i Komunës së Dragashit së bashku me zyrtarë komunalë, Konsulli i Përgjithshëm i Turqisë në Prizren, Kryetari i Këshillit të Përfaqësisë Turke dhe Kryetari i Komunës së Mamushës. Gjithashtu, në nderim të dëshmorit morën pjesë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përfaqësues të Bashkësisë Islame dhe qytetarë.
Gjatë fjalimeve të rastit, autoritetet e pranishme vlerësuan lart veprën dhe sakrificën e rreshterit Kutlu, duke theksuar se kontributi i tij për një mjedis të sigurt në Dragash do të kujtohet përherë me respekt dhe përulësi.
Përtej nderimit për dëshmorin e rënë, të pranishmit shfrytëzuan rastin për të vlerësuar marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.
©TVOPOJA