
Më 02.09.2025 kanë filluar zyrtarisht matjet për Rindërtimin e Kadastrit në Zonën Kadastrale Lez, Komuna e Prizrenit. Ky proces përfshin regjistrimin fillestar të pronave dhe synon të sigurojë një regjistrim sa më të saktë, të plotë dhe transparent, duke garantuar të drejtat pronësore të qytetarëve.
Që nga dita e parë e matjeve, banorët e kësaj zone kanë treguar pjesëmarrje aktive, duke kontribuar drejtpërdrejt në identifikimin e çdo parcele.
Me këtë rast, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve nga Komuna e Dragashit që kanë prona në fshatin Lez, të shfrytëzojnë këtë mundësi për të rregulluar pronat e tyre me dokumentacion zyrtar. Ky proces është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e pasurisë, për lehtësimin e shërbimeve administrative dhe për garantimin e të drejtave të trashëgimtarëve në të ardhmen.
Rindërtimi i Kadastrit është një mundësi unike për ta bërë pronën tuaj të sigurt dhe të regjistruar ligjërisht – ndaj mos e humbni rastin për të marrë pjesë në këtë proces.