
Në fshatin Bresanë, sot fillon edicioni i shtatë i Festivalit Ballkanik të Folklorit të Vallëve “Opoja Vallëzon” – një ngjarje që nuk është vetëm art, por është emocion, është rrënjë dhe është bashkim shpirtëror!
Ky festival, tashmë tradicional dhe për herë të tretë me karakter ballkanik, tubon ansamble e shoqëri artistike nga vende të ndryshme të rajonit dhe më gjerë, për të festuar së bashku gjuhën universale të valles dhe kulturës popullore.
Nën patronatin e kryetarit të Komunës, z. Bexhet Xheladini, dhe organizuar me përkushtim nga SHKA “Bresana” në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, ky festival vjen si një ftesë për të gjithë – vendas, mërgimtarë dhe miq ndërkombëtarë – që të ndjejnë shpirtin e Opojës që vallëzon për çdo brez!
Për tri mbrëmje me radhë – më 24, 25 dhe 26 korrik – oborri i shkollës “28 Nëntori” do të shndërrohet në një skenë të madhe emocionesh, ku vallet dhe këngët tradicionale do të na lidhin me rrënjët tona, por edhe me popuj të tjerë të Ballkanit dhe Evropës.
Ansamble nga Kosova, Shqipëria, Turqia, Bullgaria, Qiproja Veriore, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Polonia e Spanja do të ndajnë me ne trashëgiminë e tyre të pasur kulturore në një garë miqësore, ku vallja do të jetë mjeti më i fuqishëm i komunikimit ndërkulturor.
Ejani të bëhemi pjesë e një feste që na bashkon me rrënjët dhe me njëri-tjetrin. Ejani që Opoja të vallëzojë me botën!
TV Opoja do të jetë pranë jush me transmetim LIVE të çdo momenti të Festivalit për tri net me radhë. Mos humbisni asnjë detaj nga vallëzimet, këngët dhe atmosfera magjike që sjell ky eveniment tradicional, i cili lidh brezat dhe ruan trashëgiminë kulturore të rajonit tonë. Qëndroni me TV Opoja dhe ndiqni nga afër emocionet e festivalit!