
Sot, në ambientet e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal (MZHR), u nënshkrua Marrëveshja e Mirëkuptimit për bashkëfinancimin e projektit të përbashkët ndërmjet Komunës së Dragashit dhe MZHR-së. Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendësministri Eldin Uglari dhe përfaqësues të Komunës së Dragashit.
Ky projekt përfshin tri ndërhyrje të rëndësishme infrastrukturore:
Rregullimin e Amfiteatrit të Hapur në fshatin Bellobrad,
Ndërtimin e murit mbrojtës në qytetin e Dragashit,
Si dhe riparimin e rrugës në fshatin Kosavë.
Vlera totale e projektit është 150,000 euro, nga të cilat 130,000 euro do të financohen nga Ministria e Zhvillimit Rajonal, ndërsa pjesa tjetër prej 20,000 euro do të kontribuohet nga Komuna e Dragashit.
Kryetari i Komunës, z. Bexhet Xheladini, falënderoi stafin menaxherial të MZHR-së për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Ai theksoi se ky është projekti i katërt me radhë i financuar nga kjo ministri gjatë mandatit të tij dhe se komuna do të vazhdojë të punojë në drejtim të realizimit të projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Jemi të përkushtuar që përmes bashkëpunimeve të tilla të sjellim investime konkrete në çdo pjesë të komunës dhe të përmbushim nevojat e qytetarëve tanë në infrastrukturë, kulturë dhe siguri”, tha kryetari Xheladini.