I pyetur në lidhje me reagimin e presidentit serb, Vuçiq që mblodhi ambasadorët e huaj dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Serbi pas vendimit të qeverisë kosovare, Haradinaj tha në T7 se kjo taksë nuk hiqet pa u ndalur agresiviteti i Serbisë.

Sa u përket presioneve që mund të vijnë nga ndërkombëtarët, kryeministri i Kosovës theksoi se Kosova “ka toleruar boll” dhe ka pritur nga BE-ja që të ndalë agresivitetin e Serbisë por kjo nuk ka ndodhur. Madje ai ka thënë se edhe dialogu mes dy vendeve nuk duhet të ndodhë pa e respektuar Serbia Kosovën.

“Janë zhvillime të brendshme të Serbisë, ne i respektojmë. Këto janë vendime sovrane të Kosovës. Nëse rikthehet normaliteti, ndalet agresiviteti i Serbisë, respektohet marrëveshja e energjisë dhe shumëçka tjetër ne mund ta diskutojmë heqjen. Por këto janë vendime sovrane të Kosovës. Presionet mirë se të vijnë, Kosova s’ka ku shkon, deri kur duan me na mbajtë konflikt i ngrirë, ne kemi toleruar shumë gjëra me shpresën që bashkësia ndërkombëtare do ta gjejë një zgjidhje, por shihet se nuk jemi aty. Ka vetëm një agresivitet ndaj Kosovës, çfarë të bëjmë”, u shpreh ndër të tjera Ramush Haradinaj.