
Komuna e Dragashit është renditur ndër komunat më të suksesshme në Kosovë për sa i përket realizimit të buxhetit për investime kapitale në vitin 2024, me një përqindje mbresëlënëse prej 98%.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti GAP, Dragashi bën pjesë në grupin elitë të komunave që kanë arritur përqindjen më të lartë të realizimit të investimeve kapitale raporton Televizioni Opoja. Komunat që kanë performuar më mirë në këtë drejtim janë:
Ferizaj – 100%
Suharekë – 100%
Malishevë – 100%
Viti – 99%
Rahovec, Obiliq, Skenderaj, Dragash – 98%
Ky sukses pasqyron një angazhim të madh të udhëheqjes komunale dhe administratës lokale në menaxhimin efikas të buxhetit dhe realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Realizimi i lartë i buxhetit për investime kapitale është një sinjal pozitiv për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe përmirësimin e infrastrukturës në këtë komunë.
Ky vlerësim është pjesë e një monitorimi gjithëpërfshirës të realizuar nga Instituti GAP, në kuadër të programit ‘EJA Kosovë’, që mbështetet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe bashkëfinancohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.
©TVOPOJA