
Në të gjitha shkollat e Komunës së Dragashit, sot u zhvillua faza e parë e Olimpiadës së Gjuhës Shqipe me nxënësit e klasave të 9-ta, në kuadër të Olimpiadës së Përbashkët Kosovë – Shqipëri. Kjo olimpiadë ka për qëllim promovimin e gjuhës shqipe dhe nxitjen e nxënësve për të zhvilluar aftësitë e tyre gjuhësore dhe kulturore.
Për të përcjellur mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm, në terren doli drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), z.Zeni Krasniqi, së bashku me stafin e tij. Z.Krasniqi dhe ekipi i tij monitoruan procesin në disa shkolla për të siguruar që çdo gjë të shkonte sipas planit dhe të gjitha udhëzimet e Olimpiadës të respektoheshin në mënyrë të rreptë.
Në përgatitjet për këtë fazë të testit, i gjithë stafi arsimor dhe administrativ i shkollave ka punuar me përkushtim të madh për të siguruar që gjithçka të jetë gati në kohë. Procesi i testimit ka shkuar pa probleme, duke reflektuar një angazhim të shkëlqyer nga ana e nxënësve dhe mësuesve të Komunës së Dragashit.
Drejtori i DKA-së, z.Zeni Krasniqi, u shpreh shumë i kënaqur me ecurinë e kësaj faze të parë të Olimpiadës.
Olimpiada e Gjuhës Shqipe është një iniciativë e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, e cila synon të fuqizojë lidhjet kulturore dhe arsimore mes dy vendeve. Pjesëmarrja e nxënësve nga Komuna e Dragashit në këtë olimpiadë është një dëshmi e përkushtimit të tyre për të mësuar dhe zhvilluar njohuritë e tyre gjuhësore.
Faza e parë e Olimpiadës u zhvillua me sukses, dhe tani nxënësit e Komunës së Dragashit janë të gatshëm për fazat e ardhshme të këtij konkursi prestigjioz. Ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë drejt promovimit dhe ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqipe.