Gjykata Speciale ua ka vazhduar paraburgimin në Qendrën e Paraburgimit në Hagë ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.
Vendimi është nxjerrë më 26 maj të këtij viti, raporton Paparaci.
Bazuar në vendimin e Dhomave të Specializuara, trupi gjykues ka arsyetuar vendimin për vazhdimin e paraburgimit ndaj Thaçit e Veselit me rrezikun e ikjes së tyre, ndikimit në procedurat e gjykimit dhe mundësinë e shkatërrimit të provave.
“Gjyqtari i procedurës paraprake arrin në përfundimin se rreziku që z. Veseli do të arratisej, do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës së GJS, ose do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë rast dhe/ ose do të paraqiten në KD, vazhdojnë të ekzistojnë”, thuhet në vendim.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Kransiqi po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020. Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.