Dy humbje në tri ditë, gjashtë gola të pësuar dhe vetëm një i shënuar kanë trazuar Romën.

Klubi nga kryeqyteti italian pësoi në derbin lokal nga Lazio 3-0, ndërsa u eliminua nga Liga e Kampionëve pas humbjes 3-1 nga Porto.
Kaq ka mjaftuar që drejtuesit e klubit ta shkarkojnë trajnerin Eusebio Di Francesco.

Trajneri italian është shkarkuar nga Roma pas rezultateve të dobëta, ku nuk arriti të konkurrojë për titullin e kampionit, u eliminua në mënyrë të turpshme nga Kupa e Italisë ku pësoi humbje 7-1 nga Fiorentina dhe u eliminua në Ligën e Kampionëve.
Di Francesco iu bashkua Romës edicionin e kaluar nga skuadra tjetër italiane Sassuolo.

Trajneri italian edhe gjatë karrierës së tij si futbollist ishte pjesë e Romës ku fitoi edhe titullin e kampionit në vitin 2001.

Giallorosët janë aktualisht në pozitën e pestë në kampionat dhe synojnë që të zënë një pozitë që i dërgon në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm.