
Më 27 tetor 2026, një zjarr ka përfshirë dhomën e ngrohjes qendrore në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në Llopushnik. Sipas raporteve fillestare, zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga një qark i shkurtër në djegësin e sistemit të ngrohjes.
Stafi mjekësor ka reaguar menjëherë duke lajmëruar ekipin e zjarrfikësve, të cilët kanë ndërhyrë me shpejtësi për të lokalizuar dhe shuar flakët. Si pasojë e incidentit, janë shkaktuar dëme materiale në hapësirën e ngrohjes, si dhe janë nxirë muret e brendshme të objektit të QMF-së.
Për shkak të këtyre dëmtimeve, ofrimi i shërbimeve shëndetësore në Llopushnik do të ndërpritet përkohësisht deri në rinovimin dhe pastrimin e plotë të qendrës. Gjatë kësaj periudhe, qytetarët udhëzohen që shërbimet e nevojshme mjekësore t’i marrin në QMF-në e Bellobradit ose në QKMF-në e Dragashit.
Institucionet përkatëse kanë falënderuar zjarrfikësit për gatishmërinë dhe ndërhyrjen e suksesshme, duke kërkuar njëherësh mirëkuptimin e qytetarëve deri në rikthimin e normalitetit në këtë qendër.
©TVOPOJA