Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr, me datë 11 janar të këtij viti, kishte bërë të ditur për opinionin publik shkeljet e marrëveshjes së koalicionit qeverisës të bëra nga LDK dhe tërheqjen nga ai koalicion e vendimin për të qenë në opozitë në 4 vitet e ardhshme.

Krahas kësaj, me këtë vendim në vazhdimësi ka qenë i njoftuar edhe grupi i këshilltarëve komunal të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr. Por, në seancën e sotme, njëra nga këshilltaret komunale, që deri sot ishte pjesë e grupit tonë të asambleistëve, e cila mandatin e saj si këshilltare komunale e ka fituar nën ombrellën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, veproi kundrejt vendimit të qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në favor të partisë në pushtet, duke votuar verbërisht secilin nga propozimet e tyre në seancën e sotme të Kuvendit Komunal në Sharr.

Nga sot, znj. Pajtesa Berisha nuk e përfaqëson asnjë qëndrim të Lëvizjes VETËVENDOSJE! përbrenda Kuvendit Komunal në Sharr, por dhe jashtë tij, meqë siç është deklaruar edhe vetë, tashmë është bërë pjesë e pushtetit, duke tradhëtuar votuesin që ia mundësoi të qenurit pjesë e asamblesë.
Ky veprim nuk mund të konsiderohet ndryshe përveçse deformim i vullnetit qytetar e keqpërdorim i skajshëm i besimit të dhënë nga Lëvizja, aktivistët, anëtarët e qytetarët e Sharrit.
Lëvizja VETËVENDOSJE! në Sharr, në Kuvendin Komunal, përfaqësohet nga Uran Halimi, Afrore Veseli dhe Jetmir Ajdini.

Në anën tjetër tentativa e LDK-së për shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal, z. Uran Halimi, tregon qartazi se fokusi i kësaj qeverisje edhe fillon e edhe kufizohet tek hakmarrja politike, e aspak tek qytetari e përgjegjësitë ndaj tij. Pra, edhe tradhëtarë, e edhe hakmarrës.
Ne nuk zbrapsemi në asnjë moment për veprimin që kemi bërë, duke mos u nënshtruar e duke qëndruar fuqishëm në opozitë, kundër vazhdimit të mendësisë së njëjtë qeverisje me protagonistë të rinj për nga emri.

Pazaret politike të bëra që nga fillimi i kësaj qeverisjeje tregojnë edhe orientimin qeverisës që do ta ketë fatkeqësisht ky pushtet i ri në komunë.

Pazargjinjët e rinj që po e pasojnë rrugën e atyre që shkuan do t’i pret fati i njëjtë politik. Qytetarët e Sharrit, sikurëse përherë, në mënyrë demokratike, do të ndëshkojnë ata që pabesisht kanë shkelur mbi vullnetin e tyre.

Qendra e LVV Sharr,
8 shkurt 2022