Gazetari dhe shkrimtari i mirënjohur opojan Demir Reshiti është njëri nga tifozët më të flaktë të K.F. Kukësi.

Klubi i tij i zemrës i cili viteve të fundit është ndër ekipet më të suksesshme shqiptare jo vetëm në Shqipëri por edhe në arenën ndërkombëtare, ka shumë përkrahës edhe në Kosovë por më i veçanti është pikërisht bashkëvendësi ynë Demiri.
Pothuajse nuk i ka ikur asnjë ndeshje e KF Kukësi pa e përcjellë në shkallët e stadiumit, sidomos ndeshjet e zhvilluara në fundjavë.

Madje edhe në këto dy sezonet e fundit kur Kukësi për shkak të renovimit të stadiumit është detyruar që ndeshjet t’i zhvillojë në qytete tjera si Elbasan, Shkodër, Tiranë etj., Demiri bën qindra kilometra rrugë me makinën e tij për ta përkrahur ekipin e zemrës!
Demiri është aq shumë i lidhur me KF Kukësin sa e njeh në detaje historinë e këtij klubi.

Ai tregon se klubi në fillimet e tij (1930) quhej “Kosova”!
“Historia e Klubit të Futbollit “Kukësi”, e ka zanafillën që në vitin 1930, atëherë kur klubi e mbante emrin “Kosova”!… Në sezonin 2010-2011, nis ngritja e Kukësit duke u ngjit në Kategorinë e Parë ndërsa në vitin 2012 për të parën herë në Superligë. Në debutimin e tij të parë në Superligë, në sezonin futbollistik 2012-2013, ekipi i Kukësit arriti rezultate mjaft të mira duke u shpallur nënkampion i Shqipërisë dhe duke dalë në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Në fushën e tij ekipi nuk u mund asnjëherë! Si nënkampion, Kukësi mori pjesë në Europa Ligë duke tejkaluar çdo parashikim dhe u bë ekipi i parë shqiptar që shkoi deri në play-off në Europa Ligë!

Që nga ajo kohë F.K. Kukësi shndërrohet në njërin nga ekipet dominuese të kampionatit shqiptar duke arritur të dal disa herë nënkampion, një herë kampion dhe nga një herë fitues i kupës dhe superkupës së Shqipërisë… Viti 2016-2017 ishte viti më i suksesshëm për Ekipin e Kukësit duke qenë se u shpall Kampion i Superligës. Para titullit Kampion, suksesi që e parapriu atë, ishte fitorja e Superkupës së Shqipërisë dhe pikërisht ndeshja me rivalin kryesor të Kampionatit, Skënderbeun me rezultatin 3-1 në favor të Kukësit. Me arritjen e këtij suksesi, Kukësi sot zotëron 3 trofe të rëndësishëm në historinë e futbollit shqiptar.


Në këto 8 vitet e dominimit të Kukësit në superligë, pothuajse rregullisht ishte pjesëmarrëse në garat e Europa Ligës dhe Ligës së kampionëve”, thekson ndër të tjera Demiri duke shtuar se pikërisht kjo histori interesante ka bërë që ai të jetëtifoz i flaktë i Kukësit.
Demiri tregon se ka njohje personale me shumicën e stafit drejtues të skuadrës por edhe me lojtarët dhe rregullisht e përgëzojnë njëri-tjetrin për fitoret e arritura. Si tifoz i flaktë i Kukësit, Demiri ka qenë i ftuar special në spektaklin dhe në darkën e organizuar me rastin e shpalljes së Kukësit kampion.

Çka në të vërtetë e lidh Demirin me Kukësin?

Gjatë një prononcimi për TV Opoja, Demiri ka thënë se janë shumë arsye (jo vetëm sportive) që e lidhin me Qytetin e Shpresës she të shpëtimit (siç e quan ai Kukësin). Demiri kishte “mbërri” në Kukës qysh në vitet 80-ta të shekullit të kaluar përmes poezive të tija të transmetuara në radio Kukësi, radio me të cilën kishte krijuar lidhje shpirtërore që nga fëmijëria dhe në të cilën edhe pati fatin të punojë si gazetar në pranverën e përgjakshme 1999 kur Kukësi dhe mbarë Shqipëria kishte hapur dyert dhe zemrat për t’i pritur shqiptarët e Kosovës të dëbuar me dhunë nga soldateska serbe…

Kontributi i Demirit në radio Kukës është vlerësuar edhe me rastin e shënimit të 60 vjetorit të kësaj shtëpie mediatike, duke iu ndarë mirënjohje me motivacionin “Përkushtim e profesionalizëm në shërbim të dëgjuesve në valët e radio Kukësit”.
Edhe qyteti i Kukësit e respekton dhe vlerëson Demirin. Qendra Kulturore e Bashkisë Kukës në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut Kukësmë 12 shtator të vitit të kaluar (2019) në “Këndin amerikan” të Pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina” në Kukës, ka organizuar aktivitetin letraro-artistik të titulluar “Krijuesi Demir Reshiti (Opojë) dhe lidhjet e tij me Kukësin”. Organizatorët e kanë theksuar se e bëjnë këtë aktivitet “në shenjë respekti e mirënjohje për shkrimtarin dhe publicistin nga Opoja e komunës së Sharrit, Demir Reshitin, i cili ka lidhje të veçanta shpirtërore me qytetin e Kukësit me rrethinë. Qyteti i Kukësit zë vend të rëndësishëm në krijimtarinë letrare e publicistike të Demir Reshitit i cili për një kohë edhe ka punuar në Radio Kukës”.

Për krijimtarinë letrare dhe lidhjen shpirtërore të Demirit me Kukësin, kanë folur shkrimtari i mirënjohur kuksian Petrit Palushi, drejtori i radio Kukësit, Jonuz Hallaçi, kryetari i Këshillit të Qarkut, Abdullah Domi si dhe intelektualë e miq të shkrimtarit. Janë lexuar gjithashtu pjesë të zgjedhura nga krijimtaria letrare e Demir Reshitit.

©TVOPOJA