S’ka liberalizim të vizave as këtë vit për kosovarët. Komisioneri i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn tha se koha e mundshme që kjo të ndodh është viti 2020.
Krerët e institucioneve në Kosovë asnjëherë nuk i ndalen premtimet duke dhënë data nga më të ndryshmet. Shoqëria civile dhe opozita kërkojnë përgjegjësi, ndërkohë ka që mendojnë se Bashkimi Evropian po tregohet i padrejtë në raport me Kosovën.
Zgjodhi Prishtinën për të dhënë lajmin e hidhur për gjithë kosovarët. Johhanes Hahn e tha pa asnjë dyshim, se liberalizimi ka mundësi të ndodh në vitin 2020. Asnjë përgjegjësi ende askush nuk ka dhënë nga udhëheqësit e Kosovës, për mosrealizimin e këtyre premtimeve.

E ky dështim duhet të ketë përgjegjësi, që sipas Demush Shashës, nga Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane EPIK, ajo është te politikanët.
Ai konsideron se llogaridhënia duhet të jetë si vlerë dhe parim.
Shasha thotë se dikush nga pushtetarët, e veçmas, ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, duhet të dorëhiqet.
Njohësi i integrimeve evropiane, ndër të tjera, thekson se deklaratat si akuza ndaj BE-në, janë të pamatura dhe të gabueshme.
“Përgjegjësia duhet të adresohet aty ku i takon, ata që kanë premtuar gjatë tërë vitit 2018 janë politikanët tanë, prej Presidentit të vendit, te kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Ministrja për Integrime Evropiane. Këta janë persona që kanë dhanë premtime, kanë ngritur shpresa në mënyrë të paqëndrueshme që lëvizja e lirë të qytetarëve do të ndodhë deri në fund të vitit… Është dashur, thjeshtë si parim dhe vlerë e mirë që të ketë llogaridhënie… Dikush nga ta duhet të thotë kemi premtu gjatë tërë këtij viti diçka para qytetarëve, nuk po ndodhë, unë nuk mund të vazhdoj më tutje…këto deklarata kanë qenë jashtëzakonisht tendencioze të pamatura dhe faktikisht të gabueshme, thjeshtë një alternativë dëshpëruese e arsyetimit para qytetarëve për dështimet”, thotë Shasha.

Ndërsa, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla shpreh dyshime se liberalizim të vizave mund të ndodh në vitin 2020.
Sipas tij, kjo qeveri përveç trumbetimit mediatik, ka bërë dhe koncesione, siç i konsideron ai, të rrezikshme, për të arritur suksese në arenën ndërkombëtare.
Dorëheqja e ministres për Integrime Evropiane për deputetin Sveçla është e pashmangshme.
Mirëpo, ai thotë se të njëjtën rrugë duhet të ketë gjithë kabineti qeveritar, në krye me kryeministrin, Ramush Haradinaj.

“Liberalizim të vizave siç duket nuk do të ketë, kjo u konfirmua dhe nga komisioneri Hahn, jo vetëm deri në vitin 2020, për shkak se ai tha mos u lidhni për data. Pra, mund të shkojë dhe më larg. Qeveritë një nga një, kanë mendu që duke bërë koncesione në dëm të interesave të Kosovës mund të arrijnë suksese në skenën ndërkombëtare, është e kundërta. Do të duhej të kishim një konsistencë dhe një punë të vazhdueshme në gjendjen në Kosovë, që do të reflektonte në përmirësimin në skenën ndërkombëtare, e rrjedhimisht do të ndodhte liberalizimi i vizave…patjetër që duhet të ketë dorëheqje, dikush mund të emëroj drejtpërdrejt ministren për integrime si njëra ndër figurat kyçe për këtë dështim, por qëndrimi ynë është që gjithë qeveria duhet të rrëzohet në krye me kryeministrin”, deklaron ai për Kosovapress.

Qasje tjetër, ka deputeti nga radhët e Alternativës, Ilir Deda.
Ai shprehet shumë kritik ndaj Bashkimit Evropian.
Sipas tij, kjo nuk ka të bëj më qeveri-opozitë, mirëpo, siç thotë ai me një mos përmbushje të obligimeve nga BE-ja, karshi Kosovës.
“Sot nuk ka të bëjë kjo më, qeveri, opozitë. Por me një mospërmbushje të obligimeve nga ana e BE-së ndaj Kosovës. Në këtë kontratë, Kosova i ka plotësuar kushtet… këtë e ka thënë komisioni Evropian dhe parlamenti…si të besojmë në kredibilitetin të BE-së, kur ata nuk i përmbushin obligimet ndaj Kosovës. Nuk ka të bëjë kjo me një llogaridhënie të brendshme, por me një situatë reale që është Kosova”, thotë Deda.
Qytetarëve të Kosovës u është premtuar lëvizja e lirë që shumë vite. Në vitin 2011 kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi kishte thënë se brenda pesëmbëdhjetë muajve kjo çështje do të përfundojë.