Gjatë tremujorit të tretë (korrik-shtator) të këtij viti, në Kosovë janë regjistruar 189 kompani ndërtimi. Kjo është bërë e ditur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) përmes Repertorit Statistikor mbi Ndërmarrjet në Kosovë për tremujorin e tretë (TM3) 2018.
Nga këto 189 kompani ndërtimi, 68 prej tyre janë individuale, kurse 121 jo-individuale. Nga ndërmarrjet jo-individuale vetëm një është regjistruar ortakëri e përgjithshme, 116 shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe 4 kompani të huaja, transmeton opoja.tv

Krahasuar me tremujorin e dytë ( prill – qershor) që ishin regjistruar 260 ndërmarrje ndërtimi, i bie që në tremujorin e tretë janë regjistruar 71 ndërmarrje më pak.
Sa i përket komunave që më së shumti u hapën këto kompani ndërtimi, prin kryeqyteti me 45 kompani të tillë, ndërsa më së paku, vetëm nga një kompani ndërtimi u hapën në Dregash, Kamenicë, Leposaviq, Shtërpcë, Zveqan dhe Graçanicë. Në gjithsej 10 komuna nuk gjatë tremujorit të tretë të këtij viti nuk është regjistruar asnjë kompani ndërtimi.

Ndërsa, gjithsej ndërmarrje të profileve të ndryshme në gjithë Kosovën, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 2 mijë e 212 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin paraprak (TM2 2018) në TM3 2018 ka pasur rënie për 16.1% të ndërmarrjeve të regjistruara. Po ashtu, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2017) ka pasur një rënie të ndërmarrjeve të regjistruara për 0.1%