
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka bërë të ditur se projekti dyvjeçar “Modernizimi i rrjetit elektroenergjetik në trevën e Gorës” po merr formën përfundimtare, duke e cilësuar atë si një ndër projektet më të mëdha dhe më të nevojshme infrastrukturore gjatë qeverisjes aktuale, pas projektit të ujësjellësit.
Sipas njoftimit të kryetarit Xheladini, me përfundimin e punimeve në tensionin e lartë, përfundimin e punimeve në Restelicë dhe vazhdimin e tyre në Brod, po zgjidhen probleme shumëvjeçare dhe po krijohen kushte për një furnizim më të sigurt dhe më të qëndrueshëm me energji elektrike.
Me këtë rast, Xheladini ka shprehur mirënjohje të veçantë për z. Turan Kocabajraktar dhe kompaninë KEDS për bashkëpunimin, mbështetjen dhe angazhimin në realizimin e këtij projekti, të cilin e vlerësoi me rëndësi të jashtëzakonshme për qytetarët. Në përmbyllje, kryetari i komunës ka theksuar se kanë zgjedhur të qeverisin me punë, projekte konkrete dhe rezultate, sepse, siç u shpreh ai, qytetarët meritojnë vepra, e jo vetëm premtime.
©TVOPOJA