OJQ AVOKO ka shënuar sot në Dragash hapjen zyrtare të projektit “Shtëpia e të Drejtave të Njeriut”, një hapësirë e përbashkët që synon të promovojë dhe mbrojë të drejtat e njeriut, të fuqizojë pjesëmarrjen qytetare dhe të nxisë dialogun, gjithëpërfshirjen dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve në Komunën e Dragashit.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, dhe Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Peter N. Due, së bashku me përfaqësues të institucioneve komunale, organizatave dhe komunitetit lokal.
Në një fjalë rasti, kryetari Xheladini vlerësoi lart bashkëpunimin me AVOKO-n, si dhe kontributin e saj në institucionet arsimore komunale e më gjerë. Nga ana tjetër, z. Due u shpreh i impresionuar me atë që kjo organizatë dhe Komuna e Dragashit ofrojnë për të rinjtë, gratë dhe komunitetin në përgjithësi, duke e vlerësuar lart këtë projekt. Projekti u vlerësua edhe nga Uzair Hamza, i cili e cilësoi atë si një zyrë me potencial të lartë, ku qytetarët do të kenë mundësi të drejtohen dhe të këshillohen.
Përmes kësaj hapësire të hapur për të gjithë — ku diversiteti, barazia dhe respekti i ndërsjellë janë vlera themelore — AVOKO synon të krijojë mundësi të reja për të rinjtë, gratë dhe të gjithë qytetarët, përmes aktiviteteve edukative, diskutimeve, informimit dhe iniciativave që promovojnë respektimin e të drejtave të njeriut dhe bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve.
Në përmbyllje, nga OJQ AVOKO kanë falënderuar Komunën e Dragashit për bashkëpunimin dhe mbështetjen, si dhe Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë për mbështetjen financiare dhe besimin në realizimin e kësaj iniciative për komunitetin lokal.
©TVOPOJA