
Sot, në oborrin e ShFMU “Ulina” në fshatin Kosavë, u mbajt ceremonia solemne e përurimit të këndit të ri të lojërave për fëmijë. Ngjarja u shoqërua me një program festiv të përgatitur nga nxënësit e talentuar të kësaj shkolle, duke e kthyer ditën në një moment të veçantë për komunitetin.
Në këtë ceremoni morën pjesë Kryetari i Komunës së Dragashit së bashku me pjesëtarë të kabinetit, komandanti i Këshillit të Lartë Turk, Koloneli Harun Elitaş, përfaqësues të KFOR-it Turk, si dhe përfaqësues të ambasadës dhe konsullatës turke në Kosovë. Të pranishëm ishin gjithashtu drejtues të institucioneve komunale, drejtoria e shkollës, mësimdhënësit, prindërit, nxënësit dhe banorët e fshatit.
Ky projekt është realizuar falë mbështetjes së Njësisë së LMT-së së KFOR-it Turk në Dragash, e cila ka dhënë një kontribut të çmuar për komunën tonë. Investime të tilla krijojnë kushte më të mira për fëmijët dhe dëshmojnë se partneriteti ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë sjell rezultate konkrete në dobi të qytetarëve.
Komuna e Dragashit mbetet e përkushtuar të vazhdojë investimet në arsim dhe në përmirësimin e infrastrukturës shkollore, duke krijuar ambiente sa më të sigurta dhe funksionale për edukimin dhe zhvillimin e brezave të rinj. Kryetari i Komunës uroi që ky bashkëpunim i frytshëm të vazhdojë edhe në të ardhmen, me projekte të reja në shërbim të qytetarëve të Dragashit.
©TVOPOJA