PDK duket se nuk po pajtohet me rezultatin zgjedhor për komunën e Dragashit, rezultat ky që e shpalli LDK-në fituese, pas numërimit të votave me postë.

Kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini kishte 297 vota më tepër sesa kundërkandidati i tij nga radhët e PDK-së, Shaban Shabani.

Megjithatë, Partia Demokratike ka rezerva sa i përket këtij procesi zgjedhor.

Sekretari i Përgjithshëm, Betim Gjoshi, në një prononcim për GazetaBlic tha se do t’i ndjekin rrugët ligjore për ankesa, pasi sipas tij, ky proces është shoqëruar me shumë parregullësi. Gjithashtu, Gjoshi shtoi se janë duke e pritur raportin e vëzhguesve për hapat e mëtutjeshëm.

Ne kemi 24 orë për ankesa. Presim raportin e vëzhguesve për të vendosur për hapat e mëtutjeshëm. Ky proces është shoqëruar me shumë parregullësi. Edhe sot në raportin e KQZ u vërtetua që kishte persona që kanë votuar nga disa herë, mandej shumë parregullësi që janë konstatuar nga PZAP dhe gjykata janë përsëritur edhe në këtë rast.