Kryesia e Kuvendit ka mbajtur sot mbledhjen e radhës ku është diskutuar mbi pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara, në mesin e të cilave ishte edhe ajo për rimëkëmbje ekonomike që deri më tash nuk ka pasur vota për të kaluar në Kuvend.

Pas mbledhjes, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se është vendosur për ditën e enjte që të mbahet seanca ku pritet të bëhet votimi në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, votimi në parim i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19, votimi i propozim-rezolutës nga raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti në lidhje me dialogun, njofton Klan Kosova.

Ajo po ashtu ka njoftuar se gjatë kësaj mbledhje janë dakorduar që të premten (09 tetor), të mbahet një seancë e veçantë, ku Kryeministri Avdullah Hoti do të raportojë për 100 ditëshin e Qeverisë.

“Sot Kryesia e Kuvendit ka mbajtur mbledhje për t’u marrë vesh lidhur me agjendat e seancave. Fillimisht ju njoftoj se sikurse në çdo seancë tjetër, e kemi për obligim që t’i rivendosim në rivotim pikat e mbetura”.

“Edhe këtë të enjte pritet të bëhet votimi në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, votimi në parim i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19, votimi i propozim-rezolutës nga raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti në lidhje me dialogun”.

“Përveç kësaj, ne do të kemi edhe seancë të re plenare që do të përfshinë ratifikimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare, [Kosovë-Itali për transferimin e personave të dënuar] dhe [ratifikimi i marrëveshjes Kosovë-BE që ka të bëjë me IPA]”.

“Javën e kaluar si Kryesi i jemi drejtuar Kryeministrit Avdullah Hoti për ta ftuar që të raportojë për 100 ditëshin e Qeverisë. Ne kishim sot një dakordim që 9 tetor të jetë një datë e përshtatshme. Sipas të gjitha gjasave, Hoti të premten raporton për 100 ditëshin e Qeverisë”.