
Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Dragashit, z. Bexhet Xheladini, dhe me mbështetjen e Komunës së Dragashit, Shoqata “Liqeni i Breznës” organizon manifestimin tradicional “Ditët e Mërgatës 2026”, një aktivitet që do të bashkojë mërgimtarët dhe qytetarët për një ditë të mbushur me sport, kulturë dhe argëtim.
Manifestimi do të mbahet më 2 gusht 2026, pranë Liqenit të Breznës, ndërsa aktivitetet do të nisin që nga ora 09:00 me turneun e futbollit, sipas njoftimit të Komunës së Dragashit.
Pas përfundimit të finales së futbollit, me fillim nga ora 14:00, do të zhvillohet programi kulturor dhe artistik, i cili do t’u ofrojë të pranishmëve një atmosferë festive me muzikë, kulturë dhe aktivitete argëtuese.
Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët e Komunës së Dragashit, si dhe mërgimtarët që ndodhen për pushime në vendlindje, të marrin pjesë në këtë manifestim tradicional, duke kaluar së bashku një ditë të veçantë në një nga destinacionet më të bukura të Opojës.
©TVOPOJA