
Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është kthyer në epiqendrën e modës në Ballkanin Perëndimor. Nga data 16 deri më 18 maj, Pallati i Kongreseve ka hapur dyert për edicionin e parë të “Muza Fashion Fair 2026”, panairit të parë të këtij lloji në rajon, i cili synon promovimin e modës së qëndrueshme dhe krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet dizajnerëve, prodhuesve dhe blerësve globalë.
Në këtë ngjarje madhështore, ku marrin pjesë mbi 100 ekspozues, sytë e publikut, mediave dhe të elitës së modës shqiptare janë kthyer sërish te dizajnerja nga Bresana, Alma Salihi.
Viti i kaluar ishte një triumf i vërtetë për Almën në platformën “Muza 2025”, e cila mes më shumë se 4,000 aplikantëve, arriti të shpallej fituese e Çmimit të 4-të me koleksionin e saj prekës “Në hijen e kujtimeve”, duke transformuar elementet tradicionale të fshatit si kashtën, zhgunin dhe goblenat në art modern të modës.
Ky sukses bëri që drejtoresha Andriola Kambo dhe ekipi i saj profesional ta ftojnë Almën sërish në Tiranë, por këtë herë si një nga dizajneret e përzgjedhura për të ekspozuar krijimet e saj në një stendë të veçantë për tre ditë me radhë.
Kur e pyetëm Almën se si po ndihet dhe çfarë do të thotë kjo ftesë për të, ajo u shpreh plot emocione:
“Është një ndjenjë shumë e veçantë. Pas eksperiencës në ‘Muza 2025’, rikthimi në Tiranë si ekspozuese është një hap i rëndësishëm për mua dhe për rrugëtimin tim në modë.”
Pallati i Kongreseve është mbushur plot me vizitorë, media dhe blerës profesionalë, ndërsa stenda e Almës ka tërhequr vëmendje të jashtëzakonshme. E pyetur mbi reagimet e para të emrave të mëdhenj të modës që po vizitojnë hapësirën e saj, dizajnerja tregon se pritja ka qenë e mrekullueshme.
“Reagimet kanë qenë shumë pozitive. Vizitorët po e vlerësojnë identitetin unik të punimeve të mia dhe mënyrën si e kam ndërthurur traditën me modernen”, thotë ajo.
Për këtë panair treditor, Alma ka sjellë një frymë të re që bazohet mbi suksesin e saj të kaluar. Ajo na zbulon se këtë herë është fokusuar në krijime me forma më moderne dhe struktura grafike më të theksuara, por gjithmonë duke ruajtur shpirtin dhe elementet që e lidhin me origjinën e saj.
Panairi ka një fokus të veçantë te moda e qëndrueshme (Sustainable Fashion) dhe bashkëpunimi B2B (biznes me biznes), gjë që i hap rrugë Almës drejt projekteve të mëdha. Ajo e vlerëson lart këtë mundësi:
“Ky ambient më ndihmon shumë. Është një mundësi e shkëlqyer për të njohur njerëz të industrisë, për bashkëpunime të reja dhe për ta prezantuar brandin tim në një nivel më të gjerë.”
Përveç suksesit në hapësirën ekspozuese, stili i veçantë i dizajneres nga Bresana ka bërë për vete edhe ekranin televiziv. I impresionuar dhe i magjepsur nga veshjet dhe estetika e saj, moderatori i njohur Eno Popi i ka bërë asaj një ftesë mjaft speciale: të kujdeset personalisht për kurimin dhe rregullimin e skenës së emisionit të tij “Muza Talk” për të tre ditët e panairit.
Në këtë mënyrë, krijimet e Almës po ndiqen live në televizion gjatë të gjitha intervistave që moderatori po zhvillon me emrat më të mëdhenj të modës, duke u kthyer në një prej imazheve kryesore vizuale të këtij edicioni.
Për Almën, formësimi i veshjeve me motive rajonale nuk është thjesht punë, por mision. “Për mua identiteti është gjithçka. Dua që çdo veshje të ketë një histori dhe një pjesë të kulturës sonë, por e sjellë në një mënyrë moderne dhe të freskët”, thotë ajo me krenari, duke treguar se si ruhet identiteti i Opojës dhe Kosovës në veshjet që synojnë të rinjtë trendi.
Rrugëtimi i Alma Salihit po kthehet në një model suksesi për shumë të rinj e të reja nga komuna e Dragashit dhe mbarë Kosova që merren me art e dizajn. Direkt nga atmosfera madhështore e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, Alma ka edhe një mesazh të fuqishëm për të gjithë artistët e rinj:
“I hyni kësaj rruge duke besuar në talentin tuaj dhe mos hiqni dorë kurrë nga ëndrrat. Edhe nga një vend i vogël mund të arrish në skena të mëdha kur punon me pasion dhe përkushtim.”
©TVOPOJA