Xhemali Berisha u lind më 1949 në fshatin Buçe. Katër klasë të fillores i kryen në vendlindje. Klasët V-VII në Bresanë, kurse klasën VIII në shkollën e sapothemeluar në Bellobrad. Në Prizren kryen Shkollën e Mesme të Muzikës, pastaj vazhdon SHLP-në degën e Muzikës në Prishtinë. Fillet e aktivitetit kulturor të Xhemaliut si amator fillojnë që nga viti 1968, me një grup shokësh  nga Opoja, si Jahja Piraj, Hysen Kryeziu, Salajdin Tafili, Sejran Ademi, Ibrahim Shenderi, Esat Krasniqi e Halit Gakaj . Për të vazhduar pastaj me SHKA “Avni Rustemi”, shoqëri e nivelit Opojan, ku bashkangjiten edhe aktivistë të rinj si Halil Halili, Fejzi Bojaxhiu, Nuridin Kuteli, Drita Shefiku, Rabije Bojaxhiu etj. Ishte kjo Shoqëri Kulturo – Artistike e cila në vitet 1971 dhe 1972, shënon suksese të jashtëzakonshme në Festivalin Rinor kosovar që mbahej në Prizren.

Nga viti 1972, Xhemaliu si këngëtar e instrumentist i mirë që ishte pranohet si anëtarë i Ansamblit “Shota” të Prishtinës. Talenti i tij bie në sy të udhëheqësit të ansamblit  dhe dërgohet në studime të koregrafisë në Sofje të Bullgarisë. Më 1978, kthehet në Ansamblin “Shota” si koreografi i parë profesional  në Kosovë. Për shumë vite, me shumë sukses ka udhëhequr ansamblin profesional “Shota” të Prishtinës, si koreograf dhe udhëheqës artistik. Pas largimit me dhunë nga puna nga pushteti okupues serb, migron në Zvicër, ku gjendet edhe sot, por pa ndërprerje të aktivitetit profesional me grupe të rinjsh në Zvicërr dhe si bashkëpunëtor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Kosovës.

Në nderim të kontributit 50 vjeçar kulturor të Xhemaliut, AKKV “Shota” më 9 nëntor të këtij viti, organizoi Shfaqjen “Peizazh Koreografik”, që ishte në mozaik kreografish autoriale të realizuara ndër vite. Shfaqja u organizua në Sallen e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Ishte diçka madhështore. Salla e stërmbushur me dashamirës të artit të vallëzimit, fjala e rastit nga Ministri i Kulturës z. Hajrullah Çeku, performanca e shkëlqyer e artistëve të valles dhe dhurimi i çmimeve vlerësuese nga Ansambli dhe shokët opojanë, e bënë shfaqjen diç të jashtëzakonshme.

Në përfundim përcjellur me duartrokitje të pandërprera u përcoll edhe fjala falenderuese dhe premtuese e vetë personazhit të shfaqjes koreografit Xhemali Berisha.

Ibrahim Skenderi

©TVOPOJA